BOAT apo Super Topi i Artë? Organizatorët sqarojnë gjithçka, ja kur do të zbulohet futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave
Organizatorët e nismës BOAT, Ballon d’Or Of All Time, kanë sqaruar se ajo nuk është një rikthim i Super Topit të Artë, një çmim zyrtar që u dhuroi France Football në vitin 1989.

Nisma e re B.O.A.T. (Ballon d’Or Of All Time), që synon të përcaktojë futbollistin më të mirë të të gjitha kohërave mes fituesve të shumëfishtë të Topit të Artë, ka ngjallur interes të madh në mbarë botën. Megjithatë, përfshirja e emrave legjendarë të futbollit dhe debati mes tifozëve kanë ngritur një pyetje: a është BOAT një rikthim i Super Topit të Artë? Përgjigjja zyrtare është jo. Organizatorët kanë sqaruar se bëhet fjalë për dy iniciativa krejtësisht të ndryshme, pa lidhje mes tyre. BOAT është një votim publik, përmes të cilit tifozët nga e gjithë bota mund të zgjedhin fituesin e tyre të preferuar të Topit të Artë në histori, mes futbollistëve që e kanë fituar këtë trofe të paktën dy herë. Kjo nismë nuk përfaqëson një çmim zyrtar dhe nuk shoqërohet me një trofe fizik. Votimi vijon në faqen zyrtare të organizatorëve, ndërsa rezultatet përfundimtare do të bëhen publike më 28 tetor 2026, dy ditë pas ceremonisë së Topit të Artë të këtij viti. Sipas njoftimit të publikuar nga organizatorët, Cristiano Ronaldo kryeson aktualisht sondazhin, por tifozët kanë ende mundësi të votojnë për legjendën e tyre të preferuar. Ndryshe nga BOAT, Super Topi i Artë ishte një trofe fizik dhe zyrtar, i dhënë vetëm një herë në histori nga revista franceze France Football. Çmimi u akordua në dhjetor të vitit 1989, me synimin për të zgjedhur futbollistin më të mirë mes fituesve të Topit të Artë gjatë tri dekadave të mëparshme. Fitues u shpall legjenda e Real Madridit, Alfredo Di Stéfano, i cili la pas emra të mëdhenj të futbollit si Johan Cruyff dhe Michel Platini. Vendimi u mor përmes një procesi votimi ku morën pjesë një juri ekspertësh, fitues të mëparshëm të Topit të Artë dhe lexues të revistës. Që prej asaj kohe, Super Topi i Artë nuk është dhënë më dhe aktualisht nuk ka një datë zyrtare për një edicion të dytë. Tashmë, vëmendja është përqendruar te votimi i tifozëve, të cilët do të përcaktojnë se cili prej fituesve të shumëfishtë të Topit të Artë meriton të konsiderohet më i miri i të gjitha kohërave. Rezultatet do të publikohen më 28 tetor, ndërsa ceremonia e 70-të e Topit të Artë do të zhvillohet më 26 tetor në Londër, në Palladium Theatre. Organizatorët kanë theksuar se BOAT është një mënyrë për të festuar pasionin e tifozëve për futbollin dhe për të rikthyer në vëmendje debatet mbi legjendat e këtij sporti, pa e ngatërruar këtë votim me një çmim zyrtar si Super Topi i Artë.