TENSIONOHET PROTESTA PARA KRYEMINISTRES
Protesta para Kryeministrisë së Shqipërisë është tensionuar pasi policia ka përdorur ujë me presion ndaj protestuesve.

Situata para Kryeministrisë së Shqipërisë është tensionuar pasi policia ka përdorur ujë me presion ndaj protestuesve që ndodheshin në bulevardin "Deshmoret e Kombit". Nderhyrja erdhi pasi një grup të rinjsh, kryesisht adoleshentë, qëlluan me gurë në drejtim të autobotit të blinduar që qëndronte pranë godinës së qeverisë. Por autoboti nuk e kufizoi ndërhyrjen vetëm ndaj personave që hodhën gurë. Ai drejtoi ujë me presion edhe ndaj protestuesve të tjerë që ndodheshin në bulevard, për të cilëve nuk raportohet ndonjë veprim i dhunshëm në momentin e ndërhyrjes. Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin provokimet dhe të largohen nga trotuari pranë Kryeministrisë. Mbetet e paqartë nëse kjo ndërhyrje paralajmëron një tjetër përpjekje të policisë për shpërndarjen e protestuesve, si në ditët e mëparshme, apo nëse protesta do të vijojë pa ndërhyrje të tjera. Deri tani, policia nuk ka sqaruar nëse përdorimi i ujit me presion synonte vetëm ndalimin e personave që qëlluan me gurë apo largimin e protestuesve nga zona përpara Kryeministrisë.