Trumpi po ndryshon strategjinë e NATO-s, ç'është rreziku për Evropën?
Administrata Trump po përgatit ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si Shtetet e Bashkuara kontribuojnë në mbrojtjen e Evropës, duke reduktuar praninë ushtarake amerikane në kontinentin evropian dhe duke i kaluar aleatëve evropianë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen konvencionale.

Administrata Trump po përgatit ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si Shtetet e Bashkuara kontribuojnë në mbrojtjen e Evropës. Strategjia e re, e njohur si "NATO 3.0", synon të rishpërndajë përgjegjësinë ushtarake ndërmjet Uashingtonit dhe aleatëve evropianë. Kjo do të do të thotë që Evropa do të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e saj konvencionale, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të ruajnë rolin e garantuesit bërthamor të Aleancës.
Megjithatë, një analizë e publikuar në ForeignPolicy paralajmëron se kjo qasje mund të sjellë pasoja të kundërta me objektivat e administratës amerikane. Sipas saj, një tërheqje e shpejtë e forcave amerikane jo vetëm që do të dobësojë aftësinë e Evropës për të u mbrojtur, por mund të çonte edhe në humbjen e besueshmërisë së garancive bërthamore amerikane, mbi të cilën është mbështetur siguria e kontinentit për dekada.
Ndryshimet kanë filluar të marrin formë në terren. Pentagoni ka njoftuar plane për të tërhequr rreth 5 mijë ushtarë nga Gjermania dhe për të anuluar vendosjen atje të një batalioni të pajisur me sisteme goditëse me rreze të gjatë veprimi. Nënkohë, brigada amerikane që shërbente me rotacion në Rumani është kthyer në Shtetet e Bashkuara pa një njësi zëvendësuese. Raportime të tjera sugjerojnë se Uashingtoni mund të tërheqë edhe 25 mijë deri në 40 mijë ushtarë të tjerë nga Evropa.
Administrata amerikane ka propozuar gjithashtu reduktimin me një të tretën deri në gjysmën e kontributit të saj në modelin e forcave të NATO-s. Kjo mund të përfshijë një numër të vogël avionësh luftarakë, anijesh luftarake, mjetesh zbulimi dhe dronësh që Shtetet e Bashkuara do të vinin në dispozicion të Aleancës në rast krize.
Problemi nuk qëndron vetëm në numrin e trupave që mund të largohen, por në rolin që ata luajnë në sistemin e parandalimit të NATO-s. Prania ushtarake amerikane në Evropë ka shërbyer historikisht si një lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet sigurisë së kontinentit dhe interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Një sulm kundër territorit të NATO-s mund të rrezikonte edhe jetën e ushtarëve amerikanë, duke rritur mundësinë e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë nga Uashingtoni.
Gjatë Luftës së Ftohtë, vendosja e forcave amerikane në Evropë ishte pjesë e një strategjie të qëllimshme për ta bërë mbrojtjen e aleatëve evropianë të pandashme nga mbrojtja e vetë amerikanëve. Nëse kjo lidhje do të dobësohet, lind pyetja nëse një president amerikan do të pranonte rrezikun e një përballeje bërthamore me Rusinë për të mbrojtur një vend evropian, pasi të kishte shmangur përfshirjen në një konflikt konvencional.
Colby ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë garancinë e zgjeruar të parandalimit bërthamor. Sipas raportimeve që citon analiza, Uashingtoni po shqyrton edhe mundësinë e zgjerimit të pranisë së armëve bërthamore dhe avionëve të aftë për t'i transportuar ato në vende të tjera të NATO-s, potencialisht në Poloni dhe në shtetet baltike.
Por një prani më e madhe bërthamore nuk e zgjidh domosdoshmërisht problemi i besueshmërisë. Analiza argumenton se është e vështirë të besohet se Shtetet e Bashkuara do të shmangnin rrezikun e një lufte konvencionale.