Trump kërkon që Musk të rivendosë internetin Starlink në Ukrainë
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka telefonuar Elon Musk dhe i ka kërkuar atij të heqë kufizimet për shpejtësinë e internetit të Starlink në Ukrainë, sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga Wall Street Journal.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka telefonuar Elon Musk dhe i ka kërkuar atij të heqë kufizimet për shpejtësinë e internetit të Starlink në Ukrainë, sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga Wall Street Journal. Kufizimet kanë bërë që disa drone sulmuese dhe interceptorë ukrainas të mos jenë në gjendje të qëndrojnë të lidhur me rrjetin kur lëvizin me shpejtësi të lartë.
Sipas zyrtarëve ukrainas, sistemi satelitor po funksiononte me shpejtësi më të lartë menjëherë pas bisedës mes Trump dhe Musk, por theksuan se funksionimi i tij nuk është rivendosur plotësisht.
Trump shprehna pakënaqësinë e tij për kufizimet, të cilat kanë bërë që disa drone sulmuese dhe interceptorë ukrainas të mos jenë në gjendje të qëndrojnë të lidhur me rrjetin kur lëvizin me shpejtësi të lartë. Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se kufizimet do të kushtojnë jetë njerëzish.
Biseda ndodhi pas një raporti të Wall Street Journal se Musk kishte urdhëruar që sistemi të "ngadalësohej". Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ai veproi me iniciativën e tij apo me urdhrin e qeverisë amerikane.
Trump u ka thënë ndihmësve dhe aleatëve se dëshiron që kufizimet ndaj Starlink, të cilin forcat ukrainase po e përdorin në vijat e frontit, të hiqen. Ai ka mohuar vazhdimisht se e ka dhënë urdhrin ose se e di se kush e ka lëshuar atë.
Ngadalësimi filloi vetëm disa ditë pasi Trump dhe Musk kritikuan publikisht Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për sulmet ndaj rafinerive ruse, të cilat presidenti amerikan i ka lidhur me rritjen e çmimeve të energjisë. Problemet e lidhjes kanë tensionuar më tej marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Kievit.
Michael Coffman, një ekspert i luftës në Carnegie Endowment for International Peace, tha se heqja e kufizimeve do të rrisë aftësinë e Ukrainës për të goditur objektiva të thellë pas vijave ruse dhe për të vendosur më shumë drone interceptorë me motor reaktiv. Sipas tij, matjet e hershme tregojnë se sistemi tani po vepron në mënyrë më të qëndrueshme.
I pyetur të enjten në lidhje me vendimin e Musk për të kufizuar shpejtësinë e Starlink, zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance tha se është plotësisht e kuptueshme që ai nuk do të donte të përfshihej në një luftë pa pasur udhëzime të qarta nga qeveria amerikane se çfarë të bënte.
"Nuk mendoj se çështja ka të bëjë me Elonin. Në thelb, ka të bëjë me politikën që Shtetet e Bashkuara do të ndjekin ndaj Ukrainës dhe Rusisë", shtoi ai.
Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio ndoqën një qëndrim të ndryshëm, sipas të cilit Musk kishte aftësinë të zbatonte kushtet e përdorimit të kompanisë së tij pa pasur nevojë për miratimin e qeverisë.
"Kushtet e përdorimit duhet të ndiqen dhe Starlink ka të drejta të vendosë për këto", u tha Hegseth gazetarëve në fillim të kësaj javës.
Të enjten, senatori demokrat Richard Blumenthal njoftoi një hetim mbi uljen e nivelit të operacioneve të Starlink në Ukrainë pa njoftim paraprak, si dhe rreziqet që paraqet mbështetja e Pentagonit amerikan te SpaceX për komunikime kritike satelitore.