47-vjeçari që plagosi një 22-vjeçar dhe vjedh një makinë, ndalohet në Rinas
47-vjeçari Klodian Ndoja, i akuzuar për plagosjen me armë zjarri të një 22-vjeçari dhe vjedhjen e makinës së tij, u ndalua në pikën kufitare të Rinasit.

Një 47-vjeçar i shpallur në kërkim për plagosjen me armë zjarri të një 22-vjeçari dhe vjedhjen e automjetit të tij është ndaluar në pikën kufitare të Rinasit, teksa tentonte të largohej nga Shqipëria. Sipas Policisë, bëhet fjalë për Klodian Ndojn, banues në fshatin Sanxhak, i cili u lokalizua dhe u ndalua falë bashkëpunimit mes specialistëve për Hetimin e Krimeve të Rënda, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Policisë Kufitare në Rinas.
Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në muajin korrik, në fshatin Sanxhak të Kurbinit. Gjatë një konflikti për motive të dobëta, 47-vjeçari dyshohet se ka plagosur me armë zjarri 22-vjeçarin me inicialet V. P., dhe më pas i ka vjedhur automjetin.
Në muajin gusht, Gjykata e Lezhës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Pas ndalimit në Rinas, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.