Tmer në Paris: një person qëlloi me armë nga makina, një i vrarë dhe 4 të plagosur
Një person ka qelur me armë nga makina në Paris, duke vrarë një dhe plagosur katër të tjerë, duke përfshirë një fëmijë 12-vjeçar.

Një person ka mbetur i vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri në departamentin Yvelines, në periferi të Parisit. Mes të plagosurve ndodhet edhe një fëmijë 12-vjeçar, si dhe dy burra të moshës 29 dhe 49 vjeç. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e rënimit të bilancit për shkak të gjendjes së të plagosurve.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30, kur një person ka hapur zjarr nga brenda një automjeti, fillimisht në zonën e Trappes dhe më pas në La Verrière, duke qelluar në drejtim të personave që ndodheshin në rrugë. Autori dyshohet se ka përdorur një armë automatike të tipit STEN, model që daton nga periudha e Luftës së Dytë Botërore.
Menjëherë pas të shtënave, policia franceze ka nisur kërkimet për kapjen e autorit, të cilin e ka lokalizuar dhe arrestuar pak më vonë në zonën e Coignières. Gjatë operacionit, në rrjetet sociale kanë qarkulluar paralajmërimet për banorët që të qëndronin në banesë. Informacionet e shpërndara përmendnin një automjet gri të tipit Renault Clio, nga i cili dyshohej se autori kishte qelluar me armë.
Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Prokuroria Kombëtare Antiterrorizëm është informuar për incidentin, ndërsa hetuesit po punojnë për të përcaktuar rrethanat e sulmit dhe nëse ai ka lidhje me terrorizmin apo me motive të tjera.