Franca mobilizon 70 mijë policë për protestat dhe mbyll muzetë dhe institucione
Franca ka mobilizuar 70 mijë policë dhe xhandarmë për të parandaluar protestat në qytete të ndryshme të vendit. Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, ka njoftuar se autoritetet do të angazhojnë forcat kundër trazirave dhe do të mbështesin operacionet në terren.

Franca ka vendosur të mobilizojë 70 mijë efektivë policie dhe xhandarmë gjatë fundjavës për të parandaluar protestat që pritet të zhvillohen në qytete të ndryshme të vendit. Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, ka njoftuar se autoritetet do të angazhojnë forcat kundër trazirave dhe kursantë që do të mbështesin operacionet në terren.
Qeveria franceze synon të krijojë një strukturë ndërhyrjeje të shpejtë, e cila të mund të zhvendoset sipas situatës në zonat ku do të zhvillohen tubimet. Një pjesë e konsiderueshme e forcave të sigurisë do të vendosen pranë ndërtesave qeveritare dhe institucioneve publike për të parandaluar incidente dhe dëmtime të mundshme gjatë protestave.
Masat kanë prekur edhe aktivitetin kulturor dhe turistik në Paris. Autoritetet kanë vendosur mbylljen e disa muzeve dhe pikave turistike gjatë fundjavës, përfshirë Muzeun e Luvrit dhe Muzeun Orsay. Pronarët e disa dyqaneve dhe bizneseve kanë nisur vendosjen e mbrojtësve metalike në vitrina dhe hyrje për të shmangur dëmtime të mundshme të pronave.