Vincent Kompany rrëzohet gjatë stërvitjes, trajneri i Bayernit dërgohet menjëherë në spital
Trajneri i Bayernit, Vincent Kompany, është transportuar në një spital në Mynih, pasi është rrëzuar gjatë stërvitjes së skuadrës.

Shqetësimet për shëndetin e trajnerit belg vijnë pas disa ditësh gjatë të cilave ai kishte vuajtur nga një infeksion viral. Pavarësisht problemave shëndetësore, tekniku ishte rikthyer në pankinë për ndeshjen e zhvilluar në “Allianz Arena”. Pas sfidës, Kompany kishte folur edhe për gjendjen e tij fizike, duke pranuar se kishte kaluar një javë të vështirë për shkak të virusit. “Si trajner, gjithmonë dëshiron të bësh gjithçka. Javën e kaluar kalova një virus mjaft të rëndë dhe, natyrisht, nuk e dëgjova trupin tim. Në një moment, trupi më tha: ‘Tani ndalo!’”, ishte shprehur ai. Për momentin, informacionet për transportimin e Kompanyt në spital bazohen në raportimet e mediave gjermane, ndërsa nuk ka ende një njoftim zyrtar nga Bayern Munich që të sqarojë gjendjen e tij shëndetësore.