"Kulla: Ramës nuk ia mori fytyrën Meta dhe Berisha, por Balluku dhe Ahmetaj"
Eksperti i sigurisë Ilir Kulla deklaroi se korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri është në një nivel të lartë dhe duhet të krijohej një burg special për të gjithë zyrtarët e lartë të korruptuar.

Eksperti i sigurisë Ilir Kulla i ftuar në emisionin Zonë e Lirë tha se situata në Shqipëri është dramatike. Kulla u shpreh se korrupsioni dhe krimi i organizuar në vend është kaq i lartë, sa duhet burg special për të gjithë zyrtarët e lartë të korruptuar.
Sipas tij, Ramës nuk ia ka marrë fytyrën as Berisha e as Meta, por të tijtë. Kulla nënvizoi se fytyrën Ramës ia ka marrë Ahmetaj, Balluku dhe njerëzit e tij. "Rama tha se këta persona që nxorri me foto janë krimi i organizuar. Në fakt, protestuesit që nxorri me foto ishin e shumta ndoshta mikro krim", tha Kulla.
Kulla shtoi se krimi i organizuar kushedi ku fluturon me kalë. "Edi Rama është në ditë të vështira dhe do që të bëjë liderin e fortë. Nderin Ramës nuk ia ka marrë as Meta dhe as Berisha, por njerëzit e vet, me Ahmetajn në krye, që ka bërë deklarata të forta. Erzin po ia merr edhe Balluku, që është në hetim për korrupsion, pastrim parash e akuza të tjera", tha Kulla.
Në Shqipëri problemi kryesor është korrupsioni dhe krimi i organizuar. Është moment i vështirë për Shqipërinë, edhe me integrimin nuk ka bërë hapa përpara ky kryeministër, sepse Shqipëria ka 25 vite që merret me faktin që “po ecë drejt BE-së”. Në këtë vend ka aq shumë zyrtarë të korruptuar, sa për t’i nxënë, duhet një burg special.