"Qeveria po përpilon kohën, por protestat do të rikthehen"
Pedagogu dhe politologu Ermal Hasimja vlerëson se qeveria po përpiqet të fitojë kohë përballë protestave, por kjo strategji nuk pritet të sjellë zgjidhjen e krizës politike.

Qeveria po përpiqet të fitojë kohë përballë protestave, por kjo strategji nuk pritet të sjellë zgjidhjen e krizës politike, vlerëson pedagogu dhe politologu Ermal Hasimja.
Në një intervistë për "Monitor", ai argumenton se reagimet e kryeministrit Edi Rama nuk deshmojnë një strategji të qartë, por janë më tepër përgjigje të momentit, që po shkojnë drejt përdorimit të forcës policore dhe frikësimit të protestuesve.
Sipas z. Hasimja, edhe nëse qeveria arrin të zbehë përkohejsisht protestat, pakënaqësia do të rishfaqet në një moment tjetër.
Ai thekson se përballa me pushtetin ka rritur ndërgjegjësimin politik dhe vendosmërinë e brezit të ri, i cili nuk është i gatshëm të pranojë injorimin e kërkesave të tij. Ai e krahason qeverinë me një njeri të ngecur në rërë lëvizëse, duke vlerësuar se nervozizmi, agresiviteti dhe përdorimi i forcës janë shenja të humbjes së aftësisë për të siguruar mbështetjen e opinionit publik.
Si e vlerëson menaxhimin e krizës politike nga qeveria?
Mendoj se qeveria e ka të pamundur të zgjidhë krizën, sepse kërkesat e protestuesve nuk lidhen me kushte specifike, por me dorëheqjen e kryeministrit. Rrjedhimisht, ky i fundit po përpiqet ta menaxhojë situatën, më shumë për të fituar kohë, ndoshta nën shembullin e Vujçit në Serbi, që ia doli t'u rezistojë për dy vjet protestave të studentëve.
Gjithashtu, nuk duket se ai ka një strategji të qartë për këtë, sepse reagimet e tij duken më tepër si reflekse të momentit, që shkojnë gjithnjë e më shumë drejt përdorimit të dhunës policore dhe frikësimit të protestuesve.
Si ndikon përballa me dhunën gjatë protestave në formimin demokratik të të rinjve?
Ky është një brez që nuk e njeh dhunën dhe përplesjen fizike, sepse nuk ka përjetuar protestat e viteve '90 dhe ka qenë në moshë fëmijërore në 2011.
Këto protesta e kanë politizuar, në kuptimin pozitiv, këtë brez, sepse e kanë mësuar me idenë që duhet luftuar për ideat dhe të drejtat dhe jo t’i konsiderosh si të mirëqenë. Nga kjo pikëpamje, edhe reagimi i qeverisë dhe policisë ka shërbyer si një shkollë politike.
Si reagojnë të rinjtë kur institucionet nuk i dëgjojnë ose u përgjigjen me ndëshkime?
Është e qarta që reagimi i të rinjve ndaj injorimit ose reagimit të dhunshëm ndaj shqetësimeve të të rinjve është i fortë dhe serioz. Pra, nuk janë aq të gatshëm për të duruar sa brezi i mëparshëm.
A i ben menaxhimi i protestave të rinjtë më të vendosur apo më mosbesues?
Mendoj se reagimi i qeverisë rrit vendosmërinë e të rinjve protestues. Vetëm një diktaturë e plotë do ta nënshtronte (përkohësisht) revoltën e tyre. Por besoj se shoqëria nuk do ta gëlltitë atë.
Rrjedhimisht, mendoj se përpjekja e qeverisë është e kotë. Edhe nëse ia del ta ftohë përkohësisht protestën, ajo do të rindizet në një moment tjetër.
Mosbesimi ndaj qeverisë që prodhon reagimi i dhunshëm dhe injorimi është i shëndetshëm. Qeverisjet autoritare instalohen pikërisht kur nuk ka reagim. Me sa duket, brezi i ri nuk ka ndër mend të mos reagojë.
A mund të quhet e suksesshme një qeveri që ruan pushtetin, por humbet besimin publik?
Duket se qeveria nuk synon më të bindë qytetarët për ndershmërinë apo përgjegjshmërinë e saj. Mendoj se gjërat janë të qarta për të gjithë. Qeveria synon të qëndrojë në pushtet duke përfituar nga sistemi zgjedhor, opozita e dobët, bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe vënia e shtetit në funksion të partisë.
Si ndikon kriza politike në vendimin e të rinjve për të emigruar?
Po ju them një rast të thjeshtë. Këto ditë kam takuar ish-studentë të mi, të cilët më thanë se ishin bërë gati për të emigruar, por tani kishin ndryshuar mendim dhe kishin vendosur të qëndrojnë, sepse janë frymëzuar nga shpresa për një ndryshim të madh që mund të sjellë protesta.
Cilat janë shenjat që qeveria po humbet aftësinë për ta menaxhuar krizën?
Qeveria aktuale është si ai njeri që ka ngecur në një gropë me rërë lëvizëse. Në këtë pikëpamje, qeveria është e humbur dhe nuk ka një strategji të qartë për të zgjidhur krizën.