Studentët shqiptarë të mobilizojnë të gjithë kombi për protestën e 24 tetorit
Studentët shqiptarë po përgatiten për protestën e 12-të, ndërsa solidariteti me tyre është shfaqur nga pedagogë, mjekë dhe sindikata e biznesit të vogël.

Protesta e studentëve shënon sot ditën e 12-të, ndërsa vijojnë përgatitjet për tubimin kombëtar të paralajmëruar në kryeqytet. Me protestën janë solidarizuar pedagogë, mjekë dhe sindikata e biznesit të vogël, ndërsa pjesëmarrje pritet edhe nga studentët e rretheve.
Pedagogët pritet të mblidhen në orën 10:00 pranë Universitetit Politeknik. Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias e Shqipërisë ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës kombëtare të 24 tetorit, në solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët. Përmes një thirrjeje publike, sindikata fton anëtarët e saj, artistët dhe punonjësit e kulturës e medias të mblidhen nesër në orën 11:00 përpara Kryeministrisë. Në njoftim theksohet se pjesëmarrja në protestë lidhet me përgjegjësinë qytetare për të ardhmen e vendit, por edhe me mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.
Ndërkohë, Partia Demokratike u ka bërë thirrje aktivistëve dhe forumeve të saj që në orën 12:00 të dalin në mbështetje të protestës së studentëve. Në orën 14:00 është paralajmëruar bashkimi i grupeve të studentëve në tubimin përpara Kryeministrisë. Mobilizimi për protestën kombëtare po zhvillohet edhe jashtë Tiranës. Studentët e rretheve, të cilët gjatë javës kanë protestuar në qytetet ku ndodhen universitetet e tyre, pritet të udhëtojnë nesër drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar tubimit. Grupet studentore të Tiranës janë në komunikim me studentët e qyteteve të tjera për të koordinuar pjesëmarrjen në protestën përpara Kryeministrisë.