Rama: Protestat nuk mund të zgjidhen me dhunë, vetëm me dialog
Kryeministri Edi Rama ka akuzuar persona të radikalizuar nga ANTIFA, ekstremizmi fetar dhe krimi i organizuar për aktet e dhunës gjatë protestave të fundit në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar persona të radikalizuar nga ANTIFA, ekstremizmi fetar dhe krimi i organizuar për aktet e dhunës gjatë protestave të fundit në Tiranë. Në një konferencë për mediat, Rama deklaroi se incidentet e dhunshme nuk janë shkaktuar nga pjesa më e madhe e protestuesve, por nga grupe të caktuara, të cilat, sipas tij, kanë synuar të krijojnë trazira në kryeqytet. Rama përsëriti ftesën për dialog me studentët dhe qytetarët, duke theksuar se protestat duhet të shërbejnë për të ngritur shqetësimet dhe për të dëgjuar nga institucionet, jo për të rrëzuar me dhunë një qeveri. "Ne jemi duke punuar intensivisht për të adresuar të dy anët e kësaj medaljeje. Jemi shumë të vëmendshëm në raport me arsyet reale dhe me shkaqet që bëjnë shumëkënd përtej faktit që votojnë apo nuk votojnë për mua, që të ndjejnë nevojën për të protestuar, për sa kohë që janë të distancuar nga dhuna. Ai terror urban u shkaktua jo nga një masë e madhe njerëzish, por nga njerëz të radikalizuar nga ANTIFA, të radikalizuar fetarë dhe të radikalizuar nga krimi për të ushtruar dhunë. Rruga e protestës paqësore është rruga që çon te dialogu. Dje kam pasur një bisedë miqësore telefonike me një pedagog të Mjekësisë, i njohur për qëndrimet e tij në anën tjetër të spektrit politik. I thashë që një protestë bëhet për të dëgjuar. Për të ulur në tryezë. Nuk bëhet për të përmbysur qeverinë apo shumicën qeverisëse me dhunë. Natyrisht kur kjo protestë nuk është protestë e një partie politike, por e një segmenti qytetar. E pyeta se përse është bërë pjesë e atij grupi. Arsyet që më tha ishin të gjitha gjërat që lidheshin me arsye krejt specifike e legjitime. Unë i thashë ne ulemi dhe e diskutoj. Pra një protestë bëhet kur Qeveria nuk është e gatshme të dëgjojë, në të kundërtën këmbëngulja në protestë është pa sens. Dhuna është një krim i ndëshkueshëm. Kjo është edhe arsyeja pse ne jemi duke punuar në të gjitha drejtimet", tha mes të tjerash Rama.