Aktualitet

Policia: Rrini larg dhunës! Protestat paqësore të ligjshme. Ndaj kërcënimeve do marrim masa

3 min leximPublikuar më

Burimi: ABC News ·

Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë për tubimin e paralajmëruar për ditën e sotme, pas konstatimit të thirrjeve në rrjetet sociale për grumbullimin e personave të maskuar dhe përdorimin e mjeteve të rrezikshme.

Foto nga burimi: Policia: Rrini larg dhunës! Protestat paqësore të ligjshme. Ndaj kërcënimeve do marrim masa

Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë për tubimin e paralajmëruar për ditën e sotme, pas konstatimit të thirrjeve në rrjetet sociale për grumbullimin e personave të maskuar dhe përdorimin e mjeteve të rrezikshme, përfshirë bomba Molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta.

Në një deklaratë për mediat, Albert Nushi, shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, bëri të ditur se kanë nisur procedimet penale për thirrjet për dhunë, ndërsa strukturat e specializuara po punojnë për identifikimin e personave përgjegjës.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga aktet e dhunshme, prindërve të mbajnë fëmijët larg situatave të rrezikshme dhe gazetarëve të respektojnë perimetrat e sigurisë. Uniformat blu theksojnë se do të garantojnë të drejtën për tubim paqësor, por paralajmërojnë se çdo akt dhune apo paligjshmërie do të përballet me reagim në përputhje me ligjin.

Drejtues Albert Nushi, Shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, deklaratë për median: "Nisur nga thirrjet e vazhdueshme në rrjetet sociale dhe në grupet e hapura në platformat online për grumbullimin e personave të maskuar dhe të pajisur me lëndë piroteknike, bomba Molotov, sfera dhe vida metalike, shkopinj druri e metalikë, gurë dhe sende të tjera të forta, me qëllim ushtrimin e dhunës gjatë tubimit të paralajmëruar për ditën e sotme, Policia e Shtetit ka shtuar masat parandaluese dhe reaguese për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Edhe gjatë ditës së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit ka konstatuar thirrje të shumta për sulme ndaj punonjësve të Policisë, shkatërrimin dhe djegien e automjeteve të Policisë, si dhe dëmtimin e pronës publike dhe private.

Në lidhje me këto thirrje, Policia e Shtetit ka nisur procedimin penal dhe strukturat e specializuara po kryejnë veprime hetimore për identifikimin e personave përgjegjës dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Personat që synojnë ta shfrytëzojnë tubimin për të ushtruar dhunë, pavarësisht maskimit apo përpjekjeve për të fshehur identitetin, do të identifikohen dhe do të përballen me përgjegjësinë ligjore.

Pjesëmarrësit në tubim të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve të paligjshme.

U bëjmë thirrje prindërve të mos lejojnë që fëmijët e tyre të marrin pjesë në tubime apo të qëndrojnë në ambiente ku siguria e tyre mund të vihet në rrezik nga përplasjet dhe aktet e dhunshme të paralajmëruara në rrjetet sociale. Mbrojtja e fëmijëve nga situatat e rrezikshme është përgjegjësi e përbashkët.

Gazetarët dhe operatorët mediatikë që raportojnë nga terreni, të respektojnë perimetrat e sigurisë të përcaktuar nga Policia dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë, për të shmangur rrezikimin e jetës dhe shëndetit të tyre. Vlerësojmë maksimalisht rëndësinë e informimit të publikut dhe të ushtrimit të lirë të veprimtarisë gazetareske, në respektim të masave të sigurisë.

Edhe një herë, apelojmë për qetësi, përgjegjshmëri dhe respektim të ligjit, në mënyrë që tubimi të zhvillohet paqësisht dhe pa cenuar sigurinë e askujt.

E drejta kushtetuese për t’u tubuar paqësisht do të respektohet dhe mbrohet, por nuk mund të përdoret si justifikim për dhunë, sulme ndaj punonjësve të Policisë apo shkatërrim të pronës.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se shërbimet e Policisë në terren do të veprojnë në përputhje me ligjin, duke respektuar parimin e proporcionalitetit në reagimin ndaj çdo akti dhune dhe paligjshmërie.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!"

Përmbajtje e përgatitur me ndihmën e automatizimit dhe me citim të burimit. Citimi nuk përbën verifikim të pavarur.

PARASHIKIMI I MOTIT

Moti në qytetin tënd

Po ngarkohet parashikimi…

Parashikimi nga tani: MET Norway · CC BY 4.0

HOROSKOPI I DITËS

Një çast për veten

Marrëdhëniet

Puna dhe planet

· Lexim për argëtim, i përzgjedhur automatikisht çdo ditë.