Protestuesit marshojnë drejt Ushtarit të Panjohur, policia ndërhyrë me gaz lotsjellës
Protesta kombëtare në Tiranë vazhdon të jetë e tensionuar, pasi turma e protestuesve është larguar nga sheshi "Skënderbej" dhe po drejtohet drejt zonës së "9-katësheve" dhe Ushtarit të Panjohur.

Protestuesit kanë nisur të largohen në grup nga sheshi, duke vijuar marshimin nëpër rrugët e Tiranës. Me këtë lëvizje, ekziston mundësia që përplasjet dhe tensionet të zhvendosen edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Pak më herët, policia kishte përforcuar praninë në sheshin "Skënderbej", duke vendosur forca të shumta pranë selinës së Partisë Socialiste dhe duke bllokuar një nga daljet e sheshit.
Ndërkohe, bulevardi "Dëshmorët e Kombit" vijon të jetë nën masa të forta policore, me një numër të madh efektivësh dhe dy automjete ujëhedhëse të vendosura pranë Kryeministrisë.
Gjatë pasdites, protesta është zhvendosur disa herë nga një zonë në tjetrën. Fillimisht, turma u grumbullua në bulevard, ku policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Me pas, protestuesit u drejtuan nga rruga "Myslym Shyri" dhe sheshi "Skënderbej", ku ndërhyrjet e forcave të rendit vijuan.
Protesta e sotme shënon ditën e 12-të të mobilizimit studentor dhe ka mbledhur qytetarë të shumtë në mbështetje të kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Tashmë, me marshimin e turmës drejt Ushtarit të Panjohur, vëmendja zhvendoset në rrugët ku po kalojnë protestuesit, ndërsa mbetet për t'u parë nëse policia do të ndërhyjë sërish për shpërndarjen e tyre.