Protestuesit shpërndahen në akset kryesore të Tiranës, marshimi drejt Rrugës së Kavajës vazhdon
Protestuesit shpërndahen në akset kryesore të Tiranës, ndërsa një pjesë e tyre marshon drejt Rrugës së Kavajës. Gjatë incidenteve, raportohet për hedhje fishekzjarresh dhe bombash molotov nga protestuesit, ndërsa forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.

Protestuesit janë shpërndarë në akset kryesore të Tiranës, ndërsa një pjesë e tyre marshon drejt Rrugës së Kavajës. Grupe të tjera protestuesish ndodhen në Rrugën e Durrësit dhe pranë sheshit "Skënderbej", në zonën e Bankës së Shqipërisë.
Marshimi po vijon në disa drejtime, ndërsa forcat e policisë janë dislokuar në pika të ndryshme të kryeqytetit për të monitoruar lëvizjet e protestuesve. Situata mbetet e tensionuar, pasi herë pas here janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.
Gjatë incidenteve, raportohet për hedhje fishekzjarresh dhe bombash molotov nga protestuesit, ndërsa forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën. Lëvizjet në Rrugën e Kavajës dhe Rrugën e Durrësit vijnë pas marshimit të protestuesve drejt Parlamentit dhe përplasjeve të regjistruara pranë Ushtarit të Panjohur.
Më herët, protestuesit bllokuan edhe qarkullimin në kryqëzimin e Nëntëkatësheve, duke vendosur kosha mbeturinash në rrugë. Ndërkohë, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" vijon të qëndrojnë të dislokuara forcat e policisë.
Protesta vijon në disa zona të Tiranës, ndërsa grupet e protestuesve vazhdojnë të lëvizin nëpër rrugët kryesore të qytetit.