Policia e Shtetit: Protesta në Tiranë, efektivët janë përballur me akte të vazhdueshme dhune
Policia e Shtetit ka reaguar përballë protestës në Tiranë, duke deklaruar se punonjësit e tyre janë përballur me akte të vazhdueshme dhune.

Gjatë protestës së ditës së sotme, punonjësit e Policisë shtetërore janë përballur me akte të vazhdueshme dhune, të cilat rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e qytetarëve.
Policia e Shtetit ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, të cilët sulmojnë punonjësit e Policisë dhe institucionet, si dhe dëmtojnë pronën publike dhe private.
U bëhet thirrje qytetarëve të shmangin zonat ku po ushtrohen akte dhune dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike. E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj. Dhuna, sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe dëmtimi i pronës publike dhe private janë të papranueshme dhe ndëshkohen me ligj.
Çdo veprim i dhunshëm që rrezikon jetën e punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve do të trajtohet në përputhje me ligjin. Policia e Shtetit vijon të jetë në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve.