Policia shpërndahet në disa zona të Tiranës, nis shoqërimi i protestuesve
Forcat e rendit janë shpërndarë në akse të ndryshme rrugore në Tiranë, ku po ndërhyjnë dhe shoqërojnë persona të përfshirë në protesta.

Policia ka nisur shoqërimin e protestuesve në disa zona të Tiranës, pas përplasjeve të regjistruara gjatë orëve të fundit në kryeqytet. Forcat e rendit janë shpërndarë në akse të ndryshme rrugore, ku po ndërhyjnë dhe shoqërojnë persona të përfshirë në protesta.
Ndërkohe, pak më herët, situata ishte tensionuar edhe pranë stadiumit “Dinamo”, ku janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, të shoqëruara me ndalime dhe shoqërim. Gjatë këtyre incidenteve, një person ka mbetur i shtrirë për disa minuta në mes të rrugës, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është shfaqur shqetësuese.
Vetë personi ka deklaruar se ishte goditur me shkop gome në kokë. Megjithatë, rrethanat e lëndimit dhe pretendimi për goditjen nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht. Në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë, e cila e ka marrë personin për t’i dhënë ndihmë të nevojshme mjekësore. Deri më tani nuk ka të dëne zyrtare për gjendjen e tij shëndetësore pas transportimit me ambulancë.
Ndërkohe, forcat e policisë vijojnë të jenë të pranishme në disa zona të Tiranës, ku grupe protestuesish janë shpërndarë pas marshimeve dhe përplasjeve të mëhershme. Ende nuk është bërë publik një bilanc zyrtar i personave të shoqëruar nga policia gjatë ndërhyrjeve në kryeqytet.