Salianji: PD të mos kërkojë protagonizëm nga protesta e studentëve
Ervin Salianji ka kritikuar qendrimin e Sali Berishës përballë protestave të studentëve dhe të rinjve në Tiranë.

Ervin Salianji ka kritikuar qëndrimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me protestën e studentëve dhe të rinjve në Tiranë. Në një intervistë për News24, Salianji e cilësoi të gabuar mënyrën se si u njoftua protesta nga PD-ja, duke theksuar se tubimi i të rinjve ishte paralajmëruar për në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit. Ai shprehu shqetësimin për qasjen e opozitës, duke akuzuar Berishën se, sipas tij, po i shërben politikisht kryeministrit Edi Rama. Më tej, ai e përshkroi situatën politike si një bashkëjetesë mes dy kundërshtarëve të mëdhenj politikë, duke e cilësuar atë si një “regjim Rama-Berisha”. Salianji komentoi edhe pjesëmarrjen në protestën e organizuar nga Berisha, duke pretenduar se numri i qytetarëve të pranishëm ishte i ulët. Në vijim, Salianji theksoi se Partia Demokratike dhe funksionarët e saj duhet të mbështesin protestat qytetare, pa kërkuar protagonizëm politik. “Sot e kam ndjekur me shqetësim gomarllëkun që kanë bërë kur lajmëruan protestë, ndërkohë protesta ishte lajmëruar në orën 14:00 te Ministria Arsimit. Sjellja e Berishës është si patericë, kamalec i Edi Ramës…Këtu kemi një regjim Rama-Berisha, bashkëqeverisje. Ishte dhe dëmtuese, e patë se sa pak njerëz kishte sot te Berisha. PD dhe çdo funksionar duhet të jetë mbështetje dhe jo të kërkojë protagonizëm shtesë. Në vend që të bëjë një propozim konkret dhe cojë në Parlament të bëjë propozim konkret për hapjen e listave zgjedhore. Sali Berisha e dëmton protestën e studentëve”, tha ai.