Berisha: Gjobat e dokrrat mbaji për vete
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj paketës ligjore të kryeministrit Edi Rama për dhunuesit, duke e quajtur atë "dokrra".

Kryetari i PD-së Sali Berisha gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët ka reaguar në lidhje me paketën ligjore të kryeministrit Edi Rama për dhunuesit. Berisha iu drejtuar Ramës duke thënë se kërcënimet e mbajnë për vete sepse nuk do të mundet të ndalojë askënd të dalë jashtë shtetit. Ligjet e paketës dhe gjobat Berisha i quajti "dokrra". "Sot doli, jo si Edi Rama, por si Edvin Kristaq Xhelati. Ka dy ditë që është rikthyer totalisht në genin e babait të tij xhelat. Kjo gjeneratë nuk e di, por babai i tij xhelat ishte një burrë i gjatë në pamje xhentëlmen, por në shpirt kriminel dhe shpirtkazmë, që firmoste varjen në litar, ndonëse ishte skulptor, firmoste varjen në litar të poetëve për vargjet e tyre. U kthye tek Koleka, ish-anëtari i Byrosë Politike terroristi i vërtetë, që edhe në '90-të kërkonte t'u fuste tanket studentëve kundër pluralizmit. Këto kërcënime i them mbaji për vete, se s'do mundesh kurrë të ndalosh asnjë njeri të dalë jashtë shteti, kanë ikur ato kohëra. Riktheu ligjin agjitacion-propagandë. Miq, diktatori i fundit komunist në Shqipëri, Ramiz Alia, para se të përmbysej shtatorja, beri ligjin për mbrojtjen e personaliteteve. Dhe e kish hallin te mbrojtja e Enver Hoxhës. Ajo ishte vetëm një thirrje, një apel, një thirrje, një apel. Dhe ne e kryem misionin tonë, e përmbysem. Do përmbysem Edi Raman. Edi Rama përmend gjoba, përmend dokrra, përmend shkopa, çfarë nuk përmend. Je i marrë fund, je i pashpresë. Jep dorëheqjen sa më pare të mos pësosh fatin e Çausheskut. Se detyrimet, borxhet, krimet tua ndaj shqiptarëve janë monstruoze. Kjo revoltë do të fitojë", tha Berisha.