Protestuesit përballen me policinë: "Keni zgjedhur anën e turpit dhe të 2500 eurove"
Protestuesit të rinj në Tiranë janë përballur verbalisht me efektivët e Policisë shtetërore, duke i akuzuar për dhunën e ushtruar ndaj tyre gjatë protestave të fundit.

Momente të tensionit janë regjistruar gjatë protestës së 13-të studentore në Tiranë, ku të rinjtë janë përballur verbalisht me efektivët e Policisë shtetërore, duke i akuzuar për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve gjatë ditëve të fundit. Të revoltuar nga plagosja e disa të rinjve gjatë ndërhyrjeve policore, protestuesit u janë drejtuar efektivëve me akuza të forta, duke i kritikuar për përdorimin e forcës ndaj qytetarëve. Një prej protestuesve u ka kujtuar policëve edhe shpërblimin prej 2500 eurosh të premtuar nga kryeministri Edi Rama, duke i akuzuar se kanë zgjedhur të mbështesin qeverinë në vend që të mbrojnë qytetarët. "Keni zgjedhur anën e turpit dhe të 2500 eurove. T’ju vijë turp! As në stadiumet e grekut, serbit dhe maqedonasit nuk na e kanë bërë atë që ua keni bërë ju të rinjve”, u shpreh protestuesi përballë efektivëve. Deklarata vjen pas incidenteve të rënda të regjistruara gjatë protestave, ku disa pjesëmarrës kanë mbetur të lënduar nga ndërhyrjet e forcave të rendit. Një prej rasteve që ka shkaktuar reagimet më të forta është ai i 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u plagos rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës së 24 tetorit. I riu është nisur drejt Italisë për trajtim të specializuar, me shpresën për të shpëtuar shikimin. Ndërkohë, kryeministri Rama ka paralajmëruar ndryshime ligjore që parashikojnë masa më të ashpra ndaj personave që ushtrojnë dhunë gjatë protestave, ndërsa studentët dhe aktivistët kanë kundërshtuar këto propozime. Protesta kundër qeverisë vijon në kryeqytet, ndërsa përplasjet verbale mes demonstruesve dhe policisë pasqyrojnë tensionet e shtuara pas ngjarjeve të ditëve të fundit.