Serbia shkoj në rekordin e votueshmërisë në zgjedhjet e parakohshme
Pjesëmarrja e votueshmërisë në zgjedhjet e parakohshme në Serbi ka tejkaluar nivelin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2023, me 64.89% të qytetarëve që kanë votuar deri në orën 18:00.

Pjesëmarrja e votueshmërisë në zgjedhjet e parakohshme në Serbi ka tejkaluar nivelin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2023, me 64.89% të qytetarëve që kanë votuar deri në orën 18:00. Kjo shifër tregon një mobilizim të konsiderueshëm të elektoratit, ndërsa në shumë qendra votimi janë raportuar radhë të gjata qytetarësh që presin për të ushtruar të drejten e votës.
Pjesëmarrja e lartë ka rikthyer vëmendjen te zgjedhjet historike të 24 shtatorit 2000, kur qytetarët votuan për presidentin dhe parlamentin e Republikës Federale të Jugosllavisë. Në ato zgjedhje, të cilat shënuan fillimin e fundit të pushtetit të Slobodan Millosheviçit, pjesëmarrja arriti rreth 75%, sipas të dhënave historike të Freedom House.
Me 64.89% të votuesve që kanë marrë pjesë deri në orën 18:00, Serbia është rreth 10 pikë për qindje larg këtij niveli historik, ndërsa qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00.
Megjithatë, zgjedhjet e vitit 2000 ishin federale, ndaj krahasimi me zgjedhjet e sotme parlamentare në Serbi duhet interpretuar duke marrë parasysh ndryshimet në sistem zgjedhor dhe regjistrat e votuesve.
Pjesëmarrja e lartë është regjistruar në disa qytete të Serbisë. Sipas të dhënave të komisioneve lokale zgjedhore, të raportuara nga agjencia Beta, deri në orën 18:00 në Çačak kishin votuar 72.11% e zgjedhësve, ndërsa në Gornji Milanovac pjesëmarrja kishte arritur në 71%.
Në komunën e Ivanjicës, pjesëmarrja ishte 69%, ndërsa në zonën e Nishit kishin votuar 69.09% e qytetarëve të regjistruar, sipas zëvendëskryetarës së Komisionit Zgjedhor të Qytetit, Aleksandra Mitrović. Shifrat deshmojnë një interes të lartë për procesin zgjedhor, i cili po zhvillohet në një klimë të fortë rivaliteti politik.
Zgjedhjet e sotme parlamentare në Serbi kanë të drejtë vote 6,451,292 qytetarë, ndërsa procesi zhvillohet në 8,392 qendra votimi. Prej tyre, 29 qendra janë vendosur në institucionet penitenciare, ndërsa 93 të tjera jashtë vendit, në 37 shtete, ku janë regjistruar 102,147 votues. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe pritet të mbyllen në orën 20:00.
Zgjedhjet e parakohshme konsiderohen një test i rëndësishëm politik për Serbinë, pas protestave të gjata studentore dhe kundërshtimit ndaj pushtetit të Partisë Perparimtare Serbe. Me pjesëmarrjen që ka kaluar 64% dy orë përpara mbylljes së qendrave të votimit, vëmendja tashmë është përqendruar te shifra përfundimtare dhe rezultatet që do të përcaktojnë përbërjen e parlamentit të ri.