Rusia ndryshon mendje: Evropa duhet të përfshihet në bisedimet e paqes për Ukrainën
Këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, deklaroi se Evropa duhet të përfshihet në bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë, pasi qëndrimi i saj mund të luajë një rol vendimtar në arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, deklaroi se Evropa duhet të përfshihet në bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë, pasi qëndrimi i saj mund të luajë një rol vendimtar në arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Sipas Ushakovit, administrata amerikane nuk ka arritur deri tani të ushtrojë ndikimin e nevojshëm mbi Kievin për ta bindur ta nënshkruajë një marrëveshje me Moskën.
"Më pare dukej se, pas takimit në Anchorage, administrata amerikane mund të vendoste kushte dhe ta detyronte Kievin t'i pranonte ato. Por deri tani kjo nuk ka funksionuar në praktikë", deklaroi Ushakov, duke iu referuar takimit të vitit 2025 në Alaskë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.
Ai theksoi se negociatat nuk mund të kufizohen vetëm tek Ukraina, për shkak të mbështetjes së gjerë politike dhe diplomatike që Kievi merr nga vendet evropiane.
"Nuk mjafton të bisedosh vetëm me Kievin. Duhet të bisedosh me të gjithë Evropën, e cila e mbështet plotësisht Ukrainën", u shpreh këshilltari i Kremlinit.
Vendet evropiane, të cilat fillimisht i lanë hapirë presidentit Trump të ndërmjetësonte një marrëveshje për përfundimin e luftës, kanë nisur të shqyrtojnë me kujdes mundësitë e dialogut me Moskën.
Udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës kanë shprehur mbështetje për një takim të mundshëm mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin, me synimin për të arritur një armëpushim. Ata kanë theksuar gjithashtu se Evropa duhet të ketë rol në këtë proces.
Moska ka deklaruar se mbetet e hapur ndaj dialogut, por nuk do të pranojë negociatat bazuar në ultimatume.
Ushakov konfirmoi se Rusia është e gatshme të rifillojë bisedimet trepalëshe me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara pas 4 nëntorit, data kur Rusia shënon Ditën e Unitetit Kombëtar.
Deklarata përputhet me qëndrimet e fundit të Kremlinit lidhur me gatishmërinë e Putinit për të rifilluar negociatat e ndërmjetësuara nga Uashingtoni gjatë muajit nëntor.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se përfaqësuesit e Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë rënë dakord të zhvillojnë një takim në nivel teknik gjatë gjysmës së para të nëntorit në Abu Dhabi. Ai ka shprehur shpresën se këto bisedime do të hapin rrugën një takimi të drejtpërdrejtë mes udhëheqësve.
Këshilltari i Kremlinit foli gjithashtu për mundësinë e një takimi mes presidentëve Vladimir Putin, Donald Trump dhe Xi Jinping, duke deklaruar se përgatitjet kanë nisur.
Sipas tij, takimi mund të zhvillohet në kuadrën e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), të planifikuar në Kinë më 18 dhe 19 nëntor.
Megjithatë, Ushakov sqaroi se Moska dhe Uashingtoni nuk kanë arritur ende një marrëveshje për një takim të veçantë mes Putinit dhe Trumpit në qytetin kinez Shenzhen.