Trump kërkon llogari nga Kathy Hochul për mashtrimet në Medicaid-in në Nju Jork
Administrata Trump ka nisur një hetim për mashtrimet në programin Medicaid të Nju Jorkut, duke kërkuar zyrtarëve të shtetit të paraqesin hollësi mbi mënyrën se si po trajtojnë mashtrimet, shpërdorimet dhe abuzimet në këtë program.

Administrata e presidentit Donald Trump po zgjeron goditjen ndaj programeve shtetërore të Medicaid-it, duke nisur një hetim për dyshime për mashtrim në shtetin e Nju Jorkut. Ky zhvillim vjen një javë pasi administrata njoftoi ngrirjen e afro 260 milionë dollarëve në financime për Medicaid-in në Minesota, për shkak të pretendimeve të ngjashme.
Administratori i Qendrave për Shërbimet e Medicare dhe Medicaid, Dr. Mehmet Oz, njoftoi të martën se administrata Trump ka identifikuar tendenca shqetësuese në programin Medicaid të Nju Jorkut. Ai u kërkoi zyrtarëve të shtetit të paraqesin, brenda 30 ditësh, hollësi mbi mënyrën se si po trajtojnë mashtrimet, shpërdorimet dhe abuzimet në këtë program, në të kundërt rrezikojnë shtyrjen e pagesave.
Hetimi i ri është pjesë e një nisme të gjerë të administratës për të luftuar mashtrimet në të gjithë vendin. Zyrtarët federalë thonë se kjo është e nevojshme për të frenuar rritjen e pakontrolluar të shpenzimeve dhe për të mbrojtur taksapaguesit.
Ndërsa shumë votues për zgjedhjet e mesmandatit janë të shqetësuar për koston e jetesës, Trump ka intensifikuar këto përpjekje. Ai ka njoftuar se zëvendëspresidenti JD Vance do të ndihmojë në balancimin e buxhetit kombëtar, duke udhëhequr një fushatë mbarëkombëtare të quajtur “lufta kundër mashtrimit”. Zyrtarët demokratë të shteteve të vëna në shënjestër i kanë dënuar veprimet e administratës republikane, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht dhe potencialisht shkatërruese për miliona njerëz që mbështeten te rrjeti i kujdesit shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta.
Guvernatorja demokrate e Nju Jorkut, Kathy Hochul, tha se masa është e motivuar politikisht dhe se do të ngrihet për të treguar të vërtetën dhe faktet për të dëshmuar se e kanë gabim. Ajo shtoi se hetimi për mashtrimet është një përpjekje e administratës Trump për t’u hequr kujdesin shëndetësor banorëve të zakonshëm të Nju Jorkut.
Hetimi në Nju Jork vjen pas masave të CMS në shtete të tjera të drejtuara nga demokratët dhe është një pjesë e një nisme të gjerë të administratës për të luftuar mashtrimet në të gjithë vendin.