Vuçiç pranon humbjen në zgjedhjet parlamentare në Serbi
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka pranuar humbjen në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke konfirmuar fitoren e lëvizjes opozitare të udhëhequr nga studentët.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka pranuar humbjen në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke konfirmuar fitoren e lëvizjes opozitare të udhëhequr nga studentët. Sipas vlerësimeve paraprake të bërë nga të dhënat e paraqitura, Lista Studentore pritet të sigurojë 135-140 vende në Parlament, ndërsa kampi i tij politik rreth 105 mandate.
Në një deklaratë pas votimit, Vuçiç pranoi se rezultatet paraprake tregojnë humbjen e forcës së tij politike, pas më shumë se një dekade dominimi në politiken serbe. Sipas agjencisë Reuters, Vuçiç deklaroi se, ndonëse rezultatet përfundimtare nuk janë ende të disponueshme, të dhënat nga kampioni i votave të numëruara tregojnë qartë fitoren e Listës Studentore.
Parlamenti i Serbisë ka 250 vende dhe shumica parlamentare kërkon të paktën 126 mandate. Sipas projeksioneve të paraqitura nga Vuçiç, lëvizja studentore do të kishte numrat e nevojshëm për të siguruar shumicën parlamentare. Ai tha gjithashtu se, sipas këtyre vlerësimeve, asnjë forcë tjetër politike nuk ka arritur të hyjë në Parlament.
Zgjedhjet e parakohshme u thirren nga Vuçiç në shtator, pas pothuajse dy vitesh protestash të udhëhequra nga studentët, të cilët kërkonin luftimin e korrupsionit, forcimin e institucioneve dhe përgjegjësi politike. Protestat nisën pas tragjedisë në nëntor 2024 në Novi Sad, ku shembja e një strehe në stacionin hekurudhor shkaktoi vdekjen e 16 personave. Ngjarja nxiti protesta masive dhe akuza për korrupsion dhe mungesë përgjegjshmërie institucionale.
Lëvizja studentore fitoi gradualisht mbështetje të gjerë publike, duke u shndërruar në sfidën më të madhe politike për Vuçiçin që nga ardhja e tij në pushtet, fillimisht si kryeministër në vitin 2014 dhe më pas si president në vitin 2017.
Sipas projeksionit të Ipsos/CeSID, të raportuar nga The Guardian, Lista Studentore ka siguruar 52% të votave dhe rreth 138 mandate, ndërsa lista e udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) ka marrë 39.3% të votave dhe rreth 104 mandate.
Rezultati shënon një ndryshim të rëndësishëm në skenën politike serbe, megjithëse mbetet për të konfirmuar nga numërimi përfundimtar dhe shpallja zyrtare e mandateve.