Investimet publike nuk realizohen sipas planit, 1.2 miliarde euro duhet të shpenzohen në 3 muaj
Investimet kapitale nga buxheti i shtetit arritën në 62,7 miliarë lekë gjatë 9-mujorit, duke realizuar vetëm 35,6% të planit vjetor prej 176 miliarë lekësh. Për të përfunduar objektivin, qeveria duhet të shpenzojë edhe 113,4 miliarë lekë, ose rreth 1,2 miliarë euro, në tre muajt e fundit të vitit.

Investimet publike nuk realizohen sipas planit, dhe për të përfunduar objektivin, qeveria duhet të shpenzojë edhe 113,4 miliarë lekë, ose rreth 1,2 miliarë euro, në tre muajt e fundit të vitit. Kjo do të kërkonte një përshpejtim të fortë të shpenzimeve publike në fund-vit, në një kohë kur ecuria e deritanishme tregon se realizimi i planit mbetet problem kronik.
Në nentë muajt e vitit 2026, shpenzimet për investime kapitale ishin mesatarisht rreth 7 miliarë lekë në muaj. Për të realizuar të gjithë fondin vjetor, kjo mesatare duhet të rritet në rreth 37,8 miliarë lekë në muaj gjatë tremujorit të fundit, pra më shumë se pesëfish, pasi shuma e mbetur për t'u shpenzuar përfaqëson 64,4% të planit vjetor të investimeve.
Realizimi i ulët i investimeve kapitale ka si shkak faktorë të shumëfishtë që nga vonesat në përgatitjen dhe miratimin e projekteve, procedurat e prokurimit publik dhe ankimimet, deri te problemet me shpronësimet dhe kapacitetet e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e kontratave. Teksa në buxhetin e shtetit shpesh parashikohen fonde përpara se projektet të kenë përfunduar procedurat përgatitore.
Por teksa eficiensa e administratës nuk i përgjigjet fondit të investimeve që vjen në rritje nga viti në vit, rreziku i mosrealizimit nuk kufizohet vetëm te plani buxhetor. Përshpërimi i kontraktimeve, punimeve dhe pagesave në një periudhë të shkurtë mund të krijojë presion mbi administratën publike, kompanitë zbatuese dhe mekanizmat e kontrollit të cilësisë. Përvoja ka treguar se pothuajse mbi 40 për qind e buxhetit të investimeve alokohet në dhjetor duke ushtruar një presion të fortë mbi çmime dhe inflacionin.
Nga pikëpamja fiskale, mosrealizimi i investimeve po ndikon në interpretimin e ecurisë së buxhetit dhe mund të ndryshojë edhe njëherë në raport me planin fillestar. Shpenzimet totale mund të rezultojnë më të ulëta se parashikimi, me pasoja në sektorët që varen nga kontratat publike.
Por nga ana tjetër, nëse përshpejtimi i projekteve vijon me pagesa të larta në muajt e fundit, ekziston rreziku për abuzime dhe mungesë eficiencë ka vënë në dukje edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportet për zbatimin e buxhetit. Për të realizuar plotësisht objektivin, nevojitet një përshpejtim i jashtëzakonshëm i shpenzimeve, por edhe një vlerësim i kapaciteteve reale për të përfunduar projektet brenda afatetve. Investimet publike edhe këtë vit po vijojnë të jenë të ekspozuara ndaj një modeli zbatimi ku muajt e fundit të vitit mbajnë peshën kryesore të realizimit. Kjo mënyrë buxhetimi po shton pasigurinë për përmbshtjen e objektivave dhe cilësinë e rezultateve.