Sulmet e ndërsjellta Rusi-Ukrainë: dy të vrarë dhe dhjetra të plagosur
Sulmet e ndërsjellta midis Rusisë dhe Ukrainës kanë shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturën energjetike dhe të transportit.

Lufta e hapur midis Rusisë dhe Ukrainës së vazhdon me sulmet të ndërsjellta me dronë dhe raketa. Një sulm masiv me dronë në rajonin rus të Voronezhit ka shkaktuar vdekjen e dy burrave dhe plagosjen e 17 personave të tjerë, mes tyre edhe një fëmijë. Guvernatori i rajonit, Alexander Gusev, ka konfirmuar se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore kishin rrëzuar 113 dronë mbi rajonin.
Sipas autoriteteve ruse, sulmet shkaktuan gjithashtu zjarre në disa objekte industriale. Një tren pasagjerësh që udhëtonte nga Anapa drejt Moskës u dëmtua, ndërsa pesë udhëtarë mbetën të plagosur. Hekurudhat Ruse kanë pezulluar qarkullimin e trenave nëpër rajonin e Voronezhit.
Ndërkohë, edhe Ukraina është goditur nga sulmet të reja ruse. Në qytetin juglindor të Zaporizhzhisë, katër persona mbetën të plagosur gjatë natës, sipas guvernatorit rajonal Mykhailo Semikin. Dy persona të tjerë u plagosën nga sulmet ajrore në rajonin e Chernihivit, njoftuan shërbimet ukrainase të emergjencës.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se forcat e saj kishin goditur një termocentral në Kharkiv, një depo në rajonin përreth dhe një tjetër objekt energjetik në rajonin Khmelnytskyi. Moska pretendoi gjithashtu se kishte shënjestruar infrastrukturën portuale në Chornomorsk dhe një anije mallrash pranë Odesës, të cilën e akuzoi se përdorej për qëllime ushtarake.