Flick flet pas humbjes në El Clasico: Gjëra që ndodhin, duhet të shohim fundin e sezonit
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, flet pas humbjes në El Clasico ndaj Real Madridit, duke deklaruar se skuadra e tij nuk ka shfaqur lojën e saj të mirë dhe se duhet të rifitojë energjinë e saj.

Humbja në El Clasico ndaj Real Madridit mbylli një javë të errët për Barcelonën, që pësoi disfatën e dytë radhazi pas asaj ndaj Paris Saint Germainit në Ligën e Kampioneve. Përpara se të shfaqej në konferencën e zakonshme për shtyp, trajneri Hansi Flick foli me futbollistët e tij dhe analizoi rezultatin negativ të katalanasve.
"Nuk jam i kënaqur. U pa që nuk ishim plotësisht të freskët", tha trajneri gjerman. "Pjesa e dytë ishim mirë dhe Real Madridi pati vetëm 2 mundësi për të shënuar golin e dytë. E kontrolluam ndeshjen dhe shënuam golin e barazimit 1-1. Në fund luajtëm në presing lart dhe ata realizuan një lojë në tranzicion duke na shënuar. Nuk ishte diçka e mirë për ne, por duhet ta pranojmë. Edhe humbjet janë pjesë e futbollit".
Flick pranoi se këto ditë skuadra e tij nuk ka shfaqur lojën e saj të mirë. "Është humbja e pare në 10 ndeshje", shtoi Flick. "Nuk po shfaqim nivelin tonë të mirë dhe kjo ka të bejë me freskinë. Kemi një javë kohë për të u përgatitur për ndeshjen tjetër. Duhet që skuadra të rifitojë energjinë e saj. Futbollistët kanë nevojë të shkëputen për pak pas kësaj javë intensive".
Tani për trajnerin gjerman ajo që ka rëndësi është që skuadra e tij të analizojë gjithçka dhe të reagojë. "Tani është e rëndësishme të analizojmë gjithçka dhe të reagojmë", shtoi trajneri i Barcelonës. "Për mendimin tim është e qartë se u përballa me një kundërshtar të një niveli të lart me shumë kualitete që ishte ndoshta më mirë se në klasiket e mëparshme, kurse ne nuk ishim mjaftueshëm të freskët. Duhet të rikuperohemi mirë, të stërvitemi shumë dhe të përgjigjemi kësaj humbjeje. Jo gjithçka është negative kur humbet. Rruga është e gjatë deri në fund të sezonit dhe këto janë gjëra që ndodhin".