KLSH: Mbi gjysma e kamerave të trafikut jashtë funksionit, investimet mbeten larg planit
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) tregon se mbi gjysma e kamerave të trafikut në Tiranë nuk funksiononte gjatë verifikimit të tyre më 1 korrik 2026. Sistemi i menaxhimit të qarkullimit kishte probleme serioze edhe më parë. Investimet përbënin 13% të shpenzimeve të programit në vitin 2023 dhe 30% në vitin 2024, por realizimi i tyre ishte zero.

KONTENI:
Në një Tiranë ku dëmtimi i semaforëve dhe kamerave gjatë protestave të fundit nuk duket se ka sjellë ndonjë kaos të ri në trafik, një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) tregon se sistemi i menaxhimit të qarkullimit kishte probleme serioze edhe më parë. Sipas auditimit, më shumë se gjysma e kamerave të monitorimit nuk transmetonin pamje, një pjesë e semaforëve nuk ishin të integruar në sistemin qendror, ndërsa investimet për përmirësimin e transportit dhe qarkullimit rrugor kanë mbetur ndjeshëm pas planeve.
Auditimi konstatoi gjithashtu se platforma qendrore për shfaqjen e njëkohshme të pamjeve nuk funksiononte. Operatorët i monitoronin kamerat individualisht në kompjuter, ndërsa 10 semaforë nuk ishin integruar në sistemin qendror. Edhe gjashtë pajisjet elektronike për informimin e drejtuesve të automjeteve rezultuan jashtë funksionit. Sipas KLSH-së, këto probleme kufizojnë kapacitetin e Qendrës së Kontrollit dhe Menaxhimit të Trafikut për monitorimin e qarkullimit.
Shpenzimet e programit të transportit publik në Bashkinë e Tiranës u rritën nga 325 milionë lekë në vitin 2023 në 1.53 miliardë lekë në vitin 2025. Megjithatë, pjesa dërrmuese e fondeve është përdorur për subvencione dhe rimbursime, përfshirë abonetë e studentëve dhe pensionistëve. Sipas raportit, investimet përbënin 13% të shpenzimeve të programit në vitin 2023 dhe 30% në vitin 2024, por realizimi i tyre ishte zero. Në vitin 2025, investimet zinin vetëm 4% të shpenzimeve dhe u realizuan në masën rreth 2%.
Auditimi identifikoi gjithashtu se Bashkia nuk kishte hartuar dhe miratuar një Plan Urban të Trafikut si dokument të veçantë. Për këto projekte, niveli i realizimit ishte 26% në vitin 2023, 22% në vitin 2024 dhe 50% në vitin 2025. Megjithëse përqindja e realizimit u përmirësua vitin e kaluar, fondet faktike të investuara ishin më të ulëta se në vitin 2023.