Studentët e marrin 22 qytete të Serbisë, Vuçiç fiton në burgje dhe në Kosovë
Studentët kanë marrë shumicën e votave në 22 qytete të Serbisë, ndërsa lista e Vuçiçit ka kryesuar në Vranjë dhe Leskovc, si dhe në votimin e zhvilluar në Kosovë dhe në institucionet penitenciare.

Studentët kanë marrë shumicën e votave në 22 qytete të Serbisë, sipas rezultateve të paraqitura nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RIK). Lista e Studentëve ka marrë më shumë vota se Partia Perparimtare Serbe në tetë qytete të Vojvodinës, duke përfshirë Novi Sad, ku kanë marrë 63,2% të votave, ndërsa SNS ka regjistruar 31,59%. Rezultati i ngushtë është regjistruar në Kikindë, ku Lista Studentore ka marrë 46,55% të votave, kundrejt 46,11% për SNS-në. Diferenca mes dy listave ka qenë vetëm 0,44 pikë përqindjeje. Në Sremska Mitrovicë, studentët kanë siguruar 49,64% të votave, ndërsa SNS 44,8%. Në Vojvodinë, SNS ka arritur rezultatin më të lartë në Kikindë, me 46,11%, ndërsa mbështetjen më të ulët ka regjistruar në Novi Sad, me 31,59%. Në rajonin e Shumadisë dhe Serbisë Perëndimore, Lista Studentore ka marrë mbështetjen më të madhe në Uzhicë, me 61,37% të votave, ndërsa SNS ka siguruar 33,79%. Rezultate të larta për studentët janë regjistruar edhe në Valjevo, me 61,19%, dhe në Kragujevac, me 57,9%. Gara e ngushtë është zhvilluar në Loznicë, ku Lista Studentore ka marrë 47,79% të votave, ndërsa SNS 47,02%, me një diferencë prej vetëm 0,77 pikësh përqindjeje. Në Krushevë, studentët kanë siguruar 49,57% të votave, kundrejt 44,73% për SNS-në. Partia e Vuçiçit ka regjistruar mbështetjen më të madhe në këto rajone në Loznicë, me 47,02%, ndërsa rezultatin më të ulët në Novi Pazar, ku ka marrë 18,95% të votave. Në këto qytete, Lista Studentore ka siguruar 38,76%. Në rajonin e Serbisë Jugore dhe Lindore, Lista Studentore ka marrë më shumë vota se SNS në pesë qytete të analizuara. Në Vranjë dhe Leskovc, dy qytetet e vetme në Serbi ku lista e Aleksandar Vuçiçit ka siguruar më shumë vota se ajo studentore. Në Vranjë, SNS ka marrë 52,39% të votave, ndërsa Lista Studentore 40,58%. Edhe në Leskovc, partia e Vuçiçit ka kryesuar me 48,70%, kundrejt 44,22% për studentët. Në Bor, Lista Studentore ka arritur rezultatin më të lartë, me 53,87%, e ndjekur nga Smederevo me 52,08% dhe Zaječar me 51,24%. Në Pirot është regjistruar diferencë e vogël mes dy listave. Studentët kanë marrë 48,35% të votave, ndërsa SNS 45,40%. Lista e Vuçiçit ka siguruar mbështetjen më të madhe në institucionet penitenciare dhe në votimin e zhvilluar në Kosovë. Në burgje, lista e Vuçiçit ka marrë 65,6% të votave, ndërsa Lista Studentore 24,9%. Në shifra konkrete, më shumë se 4.000 qytetarë që votuan në institucionet penitenciare kanë mbështetur listën e Vuçiçit, ndërsa pak më shumë se 1.500 kanë votuar për Listën Studentore. Edhe në votimin e zhvilluar në Kosovë, lista "Serbia e Bashkuar" ka marrë më shumë vota, duke siguruar 71,63% të tyre. Lista Studentore ka marrë 21,09% të votave të hedhura në territorin e Kosovës, sipas të dhënave të paraqitura nga media serbe.