ERE përgatit rregulla për krahasimin e çmimeve të energjisë elektrike
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka nisur procedurat për miratimin e një rregulloreje të re për funksionimin e platformës së krahasimit të çmimeve të energjisë elektrike. Rregullorja propozon një kuadër të detajuar për mënyrën e funksionimit të platformës, duke përfshirë ofertat e disponueshme për kategoritë e klientëve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka nisur procedurat për miratimin e një rregulloreje të re për funksionimin e platformës së krahasimit të çmimeve të energjisë elektrike. Rregullorja propozon një kuadër të detajuar për mënyrën e funksionimit të platformës, duke përfshirë ofertat e disponueshme për kategoritë e klientëve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Platforma e Krahasimit të Çmimeve (PCT) nuk është një shërbim i ri, por është e aksesueshme që prej 15 marsit 2024. ERE ka vendosur tashmë detyrimin e publikimit të ofertave për furnizuesit aktiv në tregun e lirë, për konsumatorët familjare dhe jofamiljare të vegjël me konsum vjetor të pritshëm nën 100 mijë kilovatorë (kWh).
Rregullorja e propozuar përcakton një kuadër të detajuar për mënyrën e funksionimit të platformës, e cila do të përfshijë ofertat e disponueshme për kategoritë e klientëve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi. Ofertat do të renditen në mënyrë standarde nga çmimi më i ulët për njësi drejt më të lartit. Përdoruesit do të mund të filtrojnë alternativat sipas furnizuesit, kohëzgjatjes së kushteve ekonomike, mënyrës së pagesës, zbritjeve dhe llojit të çmimit.
Një element i rëndësishëm i rregullave të propozuara është përllogaritja e shpenzimit vjetor të energjisë elektrike. Për çdo ofertë, platforma do të vlerësojë koston mbi bazën e konsumit të deklaruar nga klienti ose të dhënave historike. Kur këto mungojnë, do të përdoren profile standarde të përcaktuara nga ERE.
Platforma do të përfshijë ofertat me çmime fikse, të ndryshueshme dhe dinamike. Në rastin e çmimeve dinamike, kostoja ndryshon në intervale të caktuara sipas çmimeve të tregut të energjisë. Furnizuesit do të detyrohen të përcjellin ofertat për publikim para se të ofrojnë në treg. Ata do të jenë përgjegjës për saktësinë e informacionit dhe duhet të korrigjojnë ose përditësojnë të dhënat brenda 72 orëve nga konstatimi i ndryshimeve apo pasaktësive. Çdo ofertë do të shoqërohet me informacion mbi tarifat shtesë, kohëzgjatjen e kontratës, kushtet e zbritjeve dhe kostot e mundshme të përfundimit të saj.
Aktualisht në tregun e lirë janë disa mijëra konsumatorë. Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike nisi në vitin 2018, me daljen në tregun e lirë të bizneseve të lidhura në tensionin 35 kV, për të vijuar gradualisht me ato në tensionin 20 dhe 10 kV. Procesi përmbylli fazën e fundit më 1 janar 2026, me kalimin e rreth 2,300 bizneseve të lidhura në tensionin 6 kV, duke u dhënë mundësinë të zgjedhin furnizuesin dhe të blenë energji me çmime të përcaktuara nga tregu.