Biografia e panjohur e Enver Hoxhës, çfarë zbulon dokumenti i vitit 1969 për rininë e diktatorit
Biografia e parë zyrtare e Enver Hoxhës u botua në vitin 1946, por u hoq menjëherë nga qarkullimi dhe nuk u përdor më as për referenca. Dokumenti i vitit 1969 zbulon se biografia e parë e Enver Hoxhës ishte një broshurë me 58 faqe, e shkruar me gërma kapitale dhe me titullin "ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR".

Gjatë gjithë jetës së tij, Enver Hoxha ka pasur shumë dritë hije dhe shumë njolla të errëta që e kanë bërë që ai vetë të mos jepte miratimin për botimin e një biografie të tij në një libër të vërtetë. Madje, tre biografi të tilla me autorë të ndryshëm, të cilat gjenden edhe sot në fondin personal të Enver Hoxhës në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, nuk janë botuar ende.
Biografia e parë zyrtare e Enver Hoxhës u botua në vitin 1946, në kuadrin e "popullarizimit" të figurës së tij, si "udhëheqësi kryesor dhe sekretar i parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Lirimtare me gradën gjeneral-kolonel, kryetar i kryesisë së Frontit Demokratik të Shqipërisë, kryeministër i qeverisë shqiptare, ministër i Mbrojtjes Popullore dhe ministër i Punëve të Jashtme".
Libri, apo më saktë broshura "ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR", fillon me një përshkrim të qytetit të Gjirokastrës ku lindi Enveri më 16 tetor 1908 dhe vazhdon me disa paragrafë mbi historinë e familjes Hoxha. E gjithë pjesa tjetër i kushtohet rolit të tij (Enverit) gjatë periudhës së "Luftës Antifashiste Nacional-Lirimtare" me disa nga ngjarjet kryesore të saj, duke përfunduar me 11 janar 1946, me ngjarjen e shpalljes së Republikës.