Jay-Z do të jetë protagonisti i skenës së Super Bowl 2027
Reperi i famshëm amerikan Jay-Z do të jetë protagonisti i skenës së Super Bowl 2027, një ngjarje e madhe muzikore dhe sportive që do të zhvillohet më 14 shkurt 2027 në stadiumin SoFi të Kalifornisë.

Reperi i famshëm amerikan Jay-Z do të jetë protagonisti i skenës së Super Bowl 2027, një ngjarje e madhe muzikore dhe sportive që do të zhvillohet më 14 shkurt 2027 në stadiumin SoFi të Kalifornisë. Kjo do të jetë një moment i veçantë për Jay-Z, që do të përfundojë një karrierë të gjatë të 30 vitesh në skenën muzikore.
Njoftimi u bë më 26 tetor, gjatë ndeshjes së futbollit amerikan mes Philadelphia Eagles dhe Dallas Cowboys. Kompania e tij Roc Nation publikoi një video në Instagram ku reperi shfaqej i ulur në një stadium, me mesazhin: "Sekreti i më madhit të të gjitha kohërave doli në shesh".
Për Jay-Z, performanca në një prej ngjarjeve më të ndjekura në botë përfaqëson një moment i veçantë, që përkon me 30-vjetorin e nisjes së karrierës së tij diskografike. "Udhëtimi nga Reasonable Doubt deri te skena e Super Bowl ka qenë i gjatë. Tridhjetë vite muzikë, punë dhe kulturë në skenën më të madhe të botës. Kjo rrugë vazhdon të jetë një endërr që po bëhet realitet", u shpreh reperi.
Albumi i tij i parë, Reasonable Doubt, u publikua në vitin 1996 dhe shënoi fillimin e një karriere që e ktheu Jay-Z në një prej emrave më të ndikimit të hip-hopit. Lidhja e artistit me Super Bowl nuk është e re. Që prej vitit 2019, kompania Roc Nation bashkëpunon me Ligën Kombëtare të Futbollit Amerikan (NFL) për organizimin e performancave muzikore dhe projekteve sociale.
Nëpërmjet këtij partneriteti, Jay-Z ka ndikuar drejtpërdrejt në përzgjedhjen e artistëve që kanë performuar në spektaklin e përvitshmë. Producenti Jesse Collins ka treguar më herët se vendimi për emrat që ngjiten në skenë merret nga vetë reperi.
"Është një vendim që e merr Jay. Që kur kemi nisur të merremi me produksionin, ai e bën përzgjedhjen çdo vit dhe rezultati është i jashtëzakonshëm. Ai zgjedh gjithmonë siç duhet", është shprehur Collins.
Njoftimi për pjesëmarrjen në Super Bowl vjen në një periudhë kur Jay-Z po rikthen vëmendjen tek albumet që kanë shënuar karrierën e tij. Së fundmi, HBO ka publikuar dokumentarin me tetë episode Jay-Z in 8, ndërsa artisti ka organizuar koncerte për të festuar 30-vjetorin e Reasonable Doubt dhe 25-vjetorin e The Blueprint.
Duke reflektuar mbi rrugëtimin e tij, reperi ka treguar se secili album ka përfaqësuar një etapë të ndryshme të zhvillimit artistik, nga hapat e para në industrinë muzikore deri te konsolidimi i suksesit ndërkombëtar.
"Ishte ai momenti kur thashë: 'Jam këtu. Ia dola dhe kam ardhur për të qëndruar'", ka kujtuar ai për periudhën e publikimit të The Blueprint.
Në edicionin e vitit 2027, Jay-Z do të pasojë Bad Bunny-n, i cili performoi në spektaklin e Super Bowl LX në vitin 2026. Performanca e 14 shkurtit pritet të sjellë një përmbledhje të tri dekadave të karrierës së reperit amerikan, përpara miliona shikuesve që ndjekin çdo vit një prej ngjarjeve më të mëdha sportive dhe muzikore në botë.