Evropa drejt një të ardhmeje përvëluese, BE paralajmëron rritje të temperaturave me 3 gradë
Komisioni Evropian paralajmëron se Evropa do të përballojë një të ardhme të përvëluese, me rritje të temperaturave me 3 gradë deri në fund të shekullit. Komisioneri evropian për Klimën, Wopke Hoekstra, ka theksuar se bota po shkon drejt tejkalimit të kufirit prej 1.5 gradësh të ngrohjes globale.

Bashkimi Evropian po përgatit një kuadër të ri rregullash për të përballuar pasojat e rëndë të ndryshimeve klimatike. Komisioni Evropian synon të kërkojë shteteve anëtare të përcaktojnë përgjegjësitë institucionale për mbrojtjen e qytetarëve nga përmbytjet, zjarret dhe temperaturat ekstreme.
Paralajmërimi vjen ndërsa Evropa përballet me kërcënime në rritje nga fenomenet ekstreme të motit. Sipas skenarëve të Komisionit, vendet evropiane duhet të përgatiten për një rritje të temperaturave me 2 grade Celsius deri në vitin 2050 dhe me 3 grade deri në fund të shekullit.
Komisioneri evropian për Klimën, Wopke Hoekstra, ka paralajmëruar se bota po shkon drejt tejkalimit të kufirit prej 1.5 gradësh të ngrohjes globale, të percaktuar në Marrëveshjen e Parisit. Ai theksoi se ulja e emetimeve të gazrave serre mbetet e domosdoshme, por nuk mjafton për të shmangur pasojat që tashmë po ndihen.
Në qendër të propozimeve të reja është ndarja e qartë e përgjegjësive mes institucioneve. Çdo shtet anëtar do të duhet të përcaktojë nëse masat parandaluese dhe reagimi ndaj fatkeqësive janë përgjegjësi e qeverisë qendrore, autoriteteve rajonale apo pushtetit vendor.
Synimi është që, në rast përmbytjesh apo zjarresh masive, të mos ketë paqartësi se cili institucion duhej të kishte ndërhyrë për të parandaluar dëmet.
Një tjetër element i planit lidhet me ndërtimet dhe investimet publike. Rrugët, urat, zona të reja të banimit dhe infrastruktura do të duhet të projektohen duke marrë parasysh rreziqet klimatike të dekadave të ardhshme, në vend që të mbështeten vetëm në kushtet e regjistruara në të kaluarën.
Megjithatë, financimi mbetet një nga problemet kryesore të nismës. Komisioni Evropian nuk parashikon aktualisht një mekanizëm të ri mbështetjeje për familjet, të cilat mund të detyrohen të shpenzojnë shuma të konsiderueshme për të mbrojtur pronat nga përmbytjet, temperaturat e larta apo fatkeqësi të tjera natyrore.
Nëndërkohë, Banka Evropiane e Investimeve ka njoftuar se do të vërë në dispozicion 30 miliardë euro deri në vitin 2030 për projektet e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike. Por ende nuk është përcaktuar se si kjo mbështetje do të arrijë te qytetarët me të ardhura të ulëta.
Brukseli po shqyrton gjithashtu një bashkëpunim më të ngushtë me sektorin e sigurimeve. Të dhënat e përmendura nga zyrtarët evropianë tregojnë se vetëm rreth një e katërta e aseteve të ekspozuara ndaj rreziqeve klimatike janë të siguruara. Për pasojë, pjesa më e madhe e faturës së dëmeve përballohet nga pronarët dhe institucionet publike.
Sipas Hoekstra, investimet në parandalimin e fatkeqësive kushtojnë më pak sesa rindërtimi dhe kompensimi i dëmeve pas tyre.
Nisma e Komisionit Evropian synon të kalojë nga reagimi pas katastrofave te përgatitja paraprake për to. Megjithatë, mungesa e fondeve të reja për familjet ngre pyetje mbi mundësinë e zbatimit të masave, veçanërisht për qytetarët që nuk kanë mundësi financiare të përballojnë kostot e përshtatjes ndaj klimës.