Stërvitja e NATO-s në Vlorë nuk ka lidhje me protestat e studentëve
Stërvitja e NATO-s në Vlorë, e cila u mbajt më 20 tetor, nuk ka lidhje me protestat e studentëve në Shqipëri.

Pasi më 19 tetor, gjatë protestave studentore në Shqipëri, u raportua mbërritja në aeroportin e Rinasit e dy autoboteve të ujit për shpërndarjen e turmave nga Turqia. Në rrjetet sociale shqipfolëse qarkulloi foto e një anijeje ushtarake, e cila ishte parë duke transportuar dy helikopterë në ujërat e Vlorës. Megjithëse postimet aludojnë një lidhje mes helikopterëve dhe shtypjes së protestave studentore, ato pranojnë se “ende nuk dihet se nga kanë ardhur dhe për çfarë do përdoren.” Në fakt, shfaqja e helikopterëve mbi një anije ushtarake me gjasa ka të bëjë me stërvitjen “Neptune Strike 26-4”, e cila u mbajt më 20 tetor në rajonin e Gjirit të Vlorës dhe në Bazën Detare Pashaliman, në kuadër të aktiviteteve stërvitore të NATO. Sipas njoftimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, në këtë stërvitje morën pjesë dy anije të Forcave Detare Turke, F490 TCG Gaziantep dhe L400 TCG Anadolu, kjo e fundit me kapacitete zbarkimi, mjete ajrore pa pilot (UAV) dhe helikopterë. Nga pala shqiptare mori pjesë një anije e Forcës Detare, së bashku me Grupin e Bordingut. Sipas njoftimit të NATO, “programi përfshinte një ulje amfibe në bazën detare të Shqipërisë Pasha Liman, operacione fluturimi me helikopter, demonstrime me litar të shpejtë dhe ngritje dhe ulje të mjeteve ajrore pa pilot TB3 nga kuverta e fluturimit të TCG ANADOLU.” Forcat turke të zbarkimit amfib kryejnë një sulm amfib në brigjet e Bazës Detare Pasha Liman në Shqipëri, gjatë stërvitjes “Neptune Strike 26-4”. Sipas NATO, në stërvitje “marrin pjesë shtatëmbëdhjetë vende aleate: Shqipëria, Kroacia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Lituania, Norvegjia, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.”