Arrestohet 51-vjeçari në Tiranë për furnizimin e protestës me fishekzjarre
Policia e Tiranës ka arrestuar një 51-vjeçar për furnizimin e protestës me fishekzjarre, pas se u gjetën 1853 fishekzjarre në magazinën e tij.

Policia e Tiranës ka zbuluar një tjetër ambient ku magazinoheshin lëndë piroteknike të dyshuara si të kontrabanduara, të cilat dyshohet se përdoreshin për furnizimin e personave që merrnin pjesë në tubime. Në kuadër të operacionit “Fireworks 3”, në pranga ka rënë një 51-vjeçar, pasi në magazinën që administronte në zonën e “Tregut Çam” u gjetën 1853 fishekzjarre. Sipas Policisë, i arrestuari me inicialet D. K. nuk dispononte licencë për shitjen e këtyre produkteve dhe as dokumentacion për blerjen e tyre. Mallrat piroteknike janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Nga hetimet paraprake dyshohet se 51-vjeçari u ka shitur lëndë piroteknike personave të maskuar, të cilët kanë kryer veprime të dhunshme gjatë tubimit të 24 tetorit 2026. Operacioni “Fireworks 3” synon identifikimin dhe ndalimin e personave që dyshohet se furnizojnë pjesëmarrësit në tubime me sende të kundërligjshme, të përdorura për akte dhune ndaj punonjësve të Policisë dhe dëmtimin e objekteve publike e private. Ky është rasti i dytë i evidentuar nga Policia e Tiranës brenda pak ditësh. Një ditë më parë, uniformat blu sekuestruan 47 pako me fishekzjarre në një banesë në rrugën “Zela”, të cilat, sipas hetimeve, shiteshin për qëllime të kundërligjshme. Materialet procedurale për rastin e 51-vjeçarit i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.