Arrestohet 51-vjeçari që furnizonte protestuesit me fishekzjarre në Tiranë
Policia e Tiranës arrestoi një 51-vjeçar për të dyshuar se ai furnizonte protestuesit me fishekzjarre dhe mallra piroteknike pa licencë dhe dokumentacion.
Policia e Tiranës arrestoi një 51-vjeçar për të dyshuar se ai furnizonte protestuesit me fishekzjarre dhe mallra piroteknike pa licencë dhe dokumentacion. Arrestimi vjen pas protestave të fundit në Tiranë, të cilat shoqëruan tensione dhe përdorim të fishekzjarrëve dhe mjeteve të tjera piroteknike.
Sipas policisë, 51-vjeçari Dylber Koni dyshohet se u ka shitur mallra piroteknike personave të maskuar, të përfshirë në veprime të dhunshme gjatë protestës së 24 tetorit. Megjithatë, hetimet vazhdojnë për të përcaktuar rrethanat e plotë dhe për të dokumentuar lidhjen e dyshuar mes shitjes së fishekzjarrëve dhe incidenteve gjatë tubimit.
Gjatë kontrollit në magazinën që ai administronte në rrugën "Çamëria", pranë Tregut Çam, policia gjeti dhe sekuestroi 1853 fishekzjarre. Nga verifikimet rezultoi se 51-vjeçari nuk kishte licencë për tregtimin e tyre dhe as dokumente që provonin origjinën e mallrave.
Operacioni "Fireworks 3" u zhvillua për të identifikuar dhe ndaluar shtetasit që furnizojnë pjesëmarrësit në tubimet e fundit me sende të kundërligjshme, me qëllim kryerjen e veprimeve të dhunshme kundër punonjësve të policisë, si dhe kundër objekteve publike dhe private. Specialistët e Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare arrestuan në flagrancë shtetasin D. K., 51 vjeç.