Arrestohet 51-vjeçari që magazinonte 1853 fishekzjarre për shitjen në tubime
Policia e Tiranës arrestoi një shtetas 51-vjeçar për magazinimin e 1853 fishekzjarre në një ambient në Tiranë, me qëllim shitjen e tyre pjesëmarrësve në tubime.

Operacioni “Fireworks 3” u zhvillua në kuadër të fazës së tretë të operacionit të koduar “Fireworks”, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që furnizojnë pjesëmarrës në tubimet e fundit, me sende të kundërligjshme, me qëllim kryerjen e veprimeve të dhunshme kundër punonjësve të Policisë, si dhe kundër objekteve publike dhe private. Specialistët e Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare arrestuan në flagrancë shtetasin D. K., 51 vjeç, në një banesë në rrugën “Zela”. Gjatë kontrollit në magazinën që ky shtetas administronte në rrugën “Çamëria”, u gjetën 1853 fishekzjarre. 51-vjeçari nuk dispononte licencë për shitjen e këtyre mallrave dhe as dokumente shoqëruese për blerjen e tyre. Nga informacionet e siguruara, dyshohet se shtetasi i arrestuar iu ka shitur lëndë piroteknike shtetasve të maskuar, autorë të veprimeve të dhunshme, gjatë tubimit të datës 24.10.2026. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.