Veliaj kërkon miratimin e listës së 1500 familjeve për kredinë e butë
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar Këshillin Bashkiak të miratojë listën e 1500 familjeve që janë zgjedhur për të marrë kredinë e butë për blerjen e një banese.

Rreth 1500 familje në Tiranë janë në pritje për miratimin e kredive të buta për blerjen e një banese. Pas publikimit të listës së fituesve, kryebashkiaku Erion Veliaj i ka kërkuar Këshillit Bashkiak që ta miratojë atë të plotë në mbledhjen e 29 tetorit.
Përmes një postimi në Instagram, Veliaj ka uruar familjet e përzgjedhura, ndërsa ka folur edhe për vështirësitë që, sipas tij, po i krijohen në ushtrimin e funksioneve si drejtues i bashkisë. “Pavarësisht përndjekjes, izolimit dhe refuzimit të çdo takimi pune me stafin e bashkisë, çka ma vështirëson së tepërmi detyrën për t’i shërbyer si duhet qytetarëve që më kanë votuar, më vjen mirë që këtë javë bëjmë realitet ëndrrën e 1500 familjeve, të cilat janë shpallur fituese nga programi i kredisë së butë!”, shkruan ai.
Kryebashkiaku thekson se miratimi i listës nga Këshilli Bashkiak është hapi i nevojshëm që përfituesit të kalojnë në fazën tjetër dhe të vijojnë procedurat pranë bankave. “I kam propozuar Këshillit Bashkiak të Tiranës që, në mbledhjen e 29 tetorit, ta miratojë të plotë listën, që këto familje të përballojnë blerjen e një shtëpie të re. E marr me mend gëzimin e tyre, ndaj edhe i uroj nga zemra”, shprehet Veliaj.
Skema e mbështetjes synon të lehtësojë blerjen e banesave për familjet me të ardhura të ulëta, përmes subvencionimit të interesave të kredisë. Sipas programit, norma e interesit është 3%, ndërsa përfitimi përcaktohet në varësi të numrit të anëtarëve të familjes dhe kritereve të aplikimit.
Pas miratimit të listës, familjet fituese duhet t’u drejtohen bankave që kanë marrëveshje me Bashkinë e Tiranës për të vijuar procesin e përfitimit të kredisë.