Qeveria vendos provim për ekspertët për të siguruar një mjedis më të mirë
Qeveria e Shqipërisë ka vendosur të kërkojë provim për ekspertët që vlerësojnë ndikimin në mjedis të ndërtimeve, resorteve turistike, hidrocentraleve dhe projekteve industriale. Këta ekspertë do të duhet të kalojnë një provim me 100 pikë për të siguruar një certifikatë.

Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik një projekt-vendim që ndryshon sistemin e certifikimit të ekspertëve për të hartuar raporte të ndikimit në mjedis. Rregullat përfshijnë ekspertët që vlerësojnë ndikimin e projekteve të zhvillimit urban, ndërtimeve, komplekseve turistike, veprimtarive minerare, industrisë së hidrokarbureve, energjisë dhe infrastrukturës së transportit.
Sipas projekt-vendimit, certifikimi do të kërkojë që kandidatët të sigurojnë të paktën 70 pikë për të kaluar. Provimet do të zhvillohen minimumi dy herë në vit, në bashkëpunim me universitete ose institucione të tjera publike të specializuara.
Kandidatët do të duhet të kenë diplomë Master i Shkencave ose ekuivalente në një fushë të lidhur me ekspertizën dhe të paktën dy vite përvojë profesionale. Nga certifikimi do të përjashtohen personat që janë dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale mjedisore, korrupsion apo falsifikim dokumentesh, si dhe ata që kanë marrë masa administrative për shkelje të rendë të legjislacionit mjedisor.
Një nga dispozitat kryesore prek ekspertët që punojnë në administratën publike. "Emërimi ose ushtrimi i një funksioni publik që krijon konflikt interes sipas legjislacionit në fuqi përben shkak për pezullimin e certifikatës së ekspertit mjedisor", përcakton dokumenti. Gjatë kësaj periudhe, eksperti nuk mund të hartojë raporte të ndikimit në mjedis apo të kryejë auditime mjedisore.
Për kompanitë që ofrojnë shërbime të ekspertizës mjedisore, certifikimi do të kërkojë që administratori të jetë vetë ekspert i certifikuar dhe subjekti të ketë punësuar me kontrata të paktën një ekspert të certifikuar.
Aplikimi për individët do të kushtojë 10 mijë lekë, tarifë që nuk kthehet edhe nëse kërkesa refuzohet. Për kompanitë, projekt-vendimi përmban dy tarifa të ndryshme, 15 mijë lekë në kriteret e certifikimit dhe 10 mijë lekë në procedurat e aplikimit.
Ministria argumenton në relacionin shoqërues se ndryshimet synojnë "rritjen e besueshmërisë së raporteve dhe ekspertizave mjedisore", si dhe përmirësimin e transparencës së certifikimit. Lista e ekspertëve të certifikuar dhe fushat ku ata lejohen të ushtrojnë veprimtarinë do të publikohen në faqen zyrtare të ministrisë. Aplikimet do të kryhen përmes e-Albania, ndërsa ministria do të ketë shtatë ditë punë për shqyrtimin fillestar të dokumenteve.
Ekspertët e certifikuar sipas sistemit ekzistues do të vazhdojnë të njihen, por do të duhet të regjistrohen në listën e re brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit. Projekt-akti parashikon zëvendësimin e rregullave të vitit 2008.