Ulja e TVSH-së për ushqimet, një premtim i mbajtur
Qeveria propozon uljen e normës së TVSH-së për produktet ushqimore bazë në 6%, duke përfshirë bukën dhe miellin, qumështin dhe kosin natyral, vezët, orizin, makaronat dhe vajin ushqimor.

Paketa fiskale 2027 propozon uljen e normës së TVSH-së për produktet ushqimore bazë në 6%, duke përfshirë bukën dhe miellin, qumështin dhe kosin natyral, vezët, orizin, makaronat dhe vajin ushqimor. Kjo është një premtim i mbajtur i kryeministrit Edi Rama, i cili kishte promovuar eliminimin e plotë të taksës në vitin 2013.
Ulja e TVSH-së për ushqimet është një kërkesë e artikuluar vazhdimisht prej vitesh nga prodhuesit vendas të mallrave të konsumit dhe importuesit. Projektligji i propozuar synon të lehtësojë barrën tatimore mbi konsumin bazë dhe të përmirësojë përballueshmërinë e këtyre produkteve nga ana e familjeve shqiptare.
Megjithatë, lista përfundimtare e produkteve që do të përfshihen në skemën e re nuk është përcaktuar ende. Ajo parashikohet të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ndryshe nga premtimi i vitit 2013 për eliminimin e plotë të taksës, propozimi i ri parashikon një normë të reduktuar, por jo zero. Kjo do të thotë se për transaksionet dhe produktet që i nënshtrohen normës standarde, norma tatimore do të jetë një pikë përqindjeje më e lartë, nëse ndryshimi miratohet dhe hyn në fuqi.
Rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% synon të kompensojë një pjesë të humbjeve të të ardhurave që pritet të krijohen nga aplikimi i normës së reduktuar për ushqimet bazë dhe të sigurojë qëndrueshmërinë e të ardhurave buxhetore.
Një tjetër ndryshim i parashikuar në projektligj lidhet me sektorin e turizmit. Norma e reduktuar e TVSH-së për këtë sektor propozohet të rritet nga 6% në 10%. Norma prej 6% është aplikuar për sektorin e turizmit që prej vitit 2017.