Borxhi publik në Shqipëri zbritet 49.3% të PBB-së
Borxhi publik në Shqipëri ka zbritur në 49.35% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në fund të shtatorit 2026, duke shënuar nivelin më të ulët në më shumë se një dekadë.

Borxhi publik në Shqipëri ka zbritur në 49.35% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në fund të shtatorit 2026, duke shënuar nivelin më të ulët në më shumë se një dekadë. Megjithatë, ndërsa në lekë stoku i borxhit ka shënuar rënie, i shprehur në euro ai ka arritur nivelin më të lartë të regjistruar në serinë statistikore të publikuar nga Ministria e Financave.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave në Buletinin Statistikor të Borxhit për tremujorin e tretë 2026, stoku i borxhit të qeverisë qendrore, përfshirë garancite, arriti në 1.377 trilion lekë në fund të shtatorit, nga 1.402 trilion lekë në fund të vitit të kaluar. Në vlerë absolute, borxhi është reduktuar me rreth 24.6 miliard lekë, ose 1.8%, gjatë nentë muajve të pare të vitit.
Rënia e raportit të borxhit ndaj PBB-së është më e fortë se ulja e stokut në vlerë absolute, duke reflektuar edhe zgjerimin e ekonomisë nominale. Për vitin 2026, Ministria e Financave parashikon një PBB prej rreth 2.79 trilion lekësh, nga 2.65 trilion lekë në vitin 2025.
Të dhënat tregojnë se reduktimi i borxhit publik gjatë nentëmujorit është ndikuar kryesisht nga rënia e komponentit jashtëm. Borxhi i jashtëm, përfshirë garancite, zbriti në 542.8 miliard lekë në fund të shtatorit 2026, nga 569.6 miliard lekë në fund të vitit të kaluar, me një reduktim prej rreth 26.8 miliard lekësh.
Ndërkohë, borxhi i brendshëm u rrit lehtë, duke arritur në 834.2 miliard lekë, nga 831.9 miliard lekë në fund të vitit 2025. Në raport me PBB-në, borxhi i brendshëm u ul në 29.89%, nga 31.41% në fund të vitit të kaluar, ndërsa borxhi i jashtëm zbriti në 19.45%, nga 21.51%.
Struktura e borxhit vijon të dominohet nga financimi i brendshëm, i cili përmbën rreth 60.6% të stokut të përgjithshëm, ndërsa borxhi i jashtëm zë pjesën e mbetur prej 39.4%.
Në krahasim me fundin e vitit të kaluar, raporti i borxhit publik me PBB-në është ulur me 3.57 pikë për qindje.
Pavarësisht uljes së stokut në monedhën vendase, borxhi publik i shprehur në euro është rritur. Sipas Ministrisë së Financave, stoku i borxhit të qeverisë qendrore, pushtetit vendor dhe borxhit të garantuar arriti në 14.96 miliard euro në fund të shtatorit 2026, nga 14.48 miliard euro në fund të vitit të kaluar. Rritja është rreth 476 milion euro, ose 3.3%, duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar në serinë statistikore të publikuar nga Ministria e Financave.
Megjithëse borxhi publik është ulur në raport me ekonominë, kostot e shërbimit të tij vijojnë të përbejnë një zë të konsiderueshëm për financat publike.
Sipas Ministrisë së Financave, gjatë nentë muajve të pare të vitit 2026, pagesat për interesat e borxhit arritën në 46.8 miliard lekë. Nga kjo shumë, rreth 31.8 miliard lekë u përdoren për interesat e borxhit të brendshëm dhe 15.1 miliard lekë për interesat e borxhit të jashtëm.