Hetimet e policisë italiane për anarkistët që shpallën trazira në Milan
Hetimet e policisë italiane për anarkistët që shpallën trazira në Milan

Hetimet e autoriteteve italiane mbi trazirat që tronditën qendrën e qytetit të Milanos më 17 dhe 18 tetor po zhvillohen në dy pista të ndryshme. Sipas mediave italiane, e para ka lidhje me mesazhet e zbuluara nga hetuesit në një grup të rrjetit WhatsApp me mbi 230 anëtarë; dhe e dyta e fokusuar tek aktivitetet e Youssef Siher, personi që shpërndau në internet thirrjet për protestë në kuadër të lëvizjes së quajtur 17 Tetori. Agjentët e njësisë speciale DIGOS, në lokalitetet Monza dhe Brianca, nisën hetimet pasi zbuluan një mesazh në rrjetin e bisedimeve, përmes të cilit një përdorues u bënte thirrje të tjerëve të mos i vendosnin menjëherë maskat, në mënyrë që të mos tërhiqnin vëmendjen e forcave të rendit. Më 22 tetor, duke vepruar në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga prokuroria për krimet e minorenëve, hetuesit bastisën banesën e një adoleshenti, i dyshuar si autor i mesazheve. Ata gjetën një maskë të zezë dhe një bluzë të zezë që dyshohet se ishte vjedhur nga një dyqan. Ndërsa në shtëpinë e një tjetër minoreni u gjet po ashtu një bluzë e së njëjtës markë, e vjedhur gjatë plaçkitjes. Por ishte telefoni i adoleshentit të parë që i dha hetuesve pistën kryesore, duke i çuar tek grupi i WhatsApp-it me 230 anëtarë, të cilët në bisedat e tyre flisnin për armë, thika, bomba tymosëse, fishekzjarrë, si dhe për plane për të sulmuar oficerët, për t’u vjedhur atyre armët dhe për t’u vënë flakën godinave qeveritare. Nuk mungonin gjithashtu thirrjet për të përdorur armë të ftohta, spraj djegës, për të vjedhur makina dhe për të dëmtuar bizneset. Në bisedë përmendej gjithashtu protesta e 24 tetorit, që rrezikoi po ashtu të degradonte në dhunë, por informacionet e mbledhura e parandaluan atë.