PS konfirmon prezencën në konsultimet me Presidentin, PD refuzon dhe thotë se është shprehur kundër traditës
Partia Socialiste konfirmon se do të marrë pjesë në konsultimet me Presidentin Bajram Begaj për datën e zgjedhjeve vendore të 2027, ndërsa Partia Demokratike refuzon dhe thotë se është shprehur kundër kësaj tradite.

Partia Socialiste ka konfirmuar prezencën e saj në konsultimet me Presidentin Bajram Begaj lidhur me datën e zgjedhjeve vendore të 2027. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka ironizuar Partinë Demokratike, duke thënë se ftesa për këtë konsultim është një traditë dhe se PD e ka refuzuar.
“Çdo President i Republikës ka bërë të njëjtën procedurë, duke ftuar partitë politike për konsultimin e datës së zgjedhjeve. Por sot ‘depoja e molotovëve’-SHQUP qenka shprehur kundër kësaj tradite. Uroj që t’i thërrasin arsyes dhe të marrin pjesë në ZGJEDHJET VENDORE diku mes 15 Prillit – 15 Majit 2027. Të kundërtën e kanë provuar në forma të ndryshme me bojkot, me vulë, pa vulë etj.
Partia Socialiste konfirmon prezencën në konsultime me Presidentin e Republikës, zotin Bajram Begaj, mbi datën e zgjedhjeve vendore 2027”, shprehet Balla.