SPAK dërgon për gjykim një të akuzuar për trafik armësh
Prokuroria e Posaçme, SPAK dërgoi për gjykim një të akuzuar për trafik armësh, pasi u konfirmuan provat për veprimtari të paligjshme kriminale.

Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të mërkurën më 28 tetor përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të Eugert Sinos, i akuzuar si drejtues dhe financues i një grupi të strukturuar kriminal me veprimtari trafikun e armëve. “Ka rezultuar e provuar se i pandehuri Eugert Sino, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, kanë arritur të sigurojnë një sasi të konsiderueshme armësh zjarri; 5 armë të gjata/sniper, 6 armë automatike, 12 pistoleta, 17 krehër të tjera, 4 tyta armësh, si dhe sasinë prej 7820 copë fishekësh luftarakë të kalibrave të ndryshme”, citohet në njoftim, si dhe bëhet me dije se, sipas akt-ekspertimeve ka rezultuar se armët e zjarrit dhe municionet luftarake janë në gjendje të rregullt teknike dhe mund realizojnë qitje. SPAK vlerëson se i pandehuri Sino ka pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në këtë veprimtari të paligjshme kriminale. SPAK ka ndarë aktet e procedimit penal në ngarkim të Sinos, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tij. I pandehuri Eugert Sino akuzohet për veprat penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në automjete, në mjedise publike, si dhe në sasi të mëdha, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”. Sipas prokurorisë, hetimet janë realizuar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë kosovare, prej nga dyshohet të jenë tranzituar armët drejt Shqipërisë. Sino u arrestua në tetor të vitit 2025, pasi në furgonin e tij u gjetën dhe u sekuestrua arsenali i armëve dhe municioneve. Furgoni ku u gjetën armët ndodhej i parkuar prej rreth një muaji në një rrugë dytësore, pranë rrugës “Myslym Shyri”.