Veliaj akuzon Burgjet për “transferim politik” nga Durrësi në Fier
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, denoncoi transferimin e tij nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, duke e konsideruar këtë një “rrëmbim policor”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, denoncoi të mërkurën përmes një postimi në Facebook transferimin e tij nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, duke e konsideruar këtë një “rrëmbim policor”. Veliaj shkruan se një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve u paraqitën në burgun e Durrësit për ta transferuar atë në drejtim të Fierit, duke refuzuar kërkesat e tij dhe të avokatit të tij për t’u njohur me aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet që e justifikojnë atë. “Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia,” shkruan Veliaj. “Unë nuk kam dhënë pëlqimin për këtë transferim dhe kam kundërshtuar mënyrën se si po realizohet, pa transparencë dhe pa më mundësuar ushtrimin efektiv të të drejtave të mia ligjore,” shton ai. Veliaj ndodhet në qeli prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave përmes një skeme që përfshin edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Sipas SPAK, Veliaj dhe Xoxa kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë e dyshuar korruptive, para që janë përdorur kryesisht për stilin e jetesës dhe blerje luksoze në internet. Veliaj i ka mohuar akuzat dhe zhvilloi një betejë gjyqësore ndaj prokurorit të çështjes së tij, Ols Dado. Kryebashkiaku në qeli i bëri thirrje ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit që “të ndërhyjnë urgjentisht dhe të verifikojnë arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi politik”. Ministria e Drejtësisë nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjes së BIRN lidhur me arsyet e transferimit të Veliajt dhe pretendimeve të tij për shkeljen e të drejtave.