KE: S’kemi qenë të përfshirë në hartimin e paketës masash ndaj protestave në Shqipëri
Komisioni Evropian ka deklaruar se institucionet e BE-së nuk kanë marrë pjesë në hartimin e paketës masash që qeveria shqiptare e propozoi për të ndaluar protestat në Shqipëri.

Paketa e masave ndaj protestave, e propozuar nga qeveria shqiptare, u prezantua nga kryeministri Edi Rama si një përgjigje ndaj dhunës në protesta dhe si një nismë e mbështetur në praktika dhe standarde europiane. Paketa përfshin gjashtë grupe masash, duke përfshirë dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara, një ligj të ri për rikuperimin e dëmeve nga personat përgjegjës dhe ndryshime në ligjin “Për tubimet”.
Rama tha se çdo masë e propozuar ishte përputhur me nenin 11 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut dhe udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it për lirinë e tubimit paqësor. Ai gjithashtu tha se sanksionet ekzistuese në Shqipëri janë “simbolike” krahasuar me ato që kanë marrë “vendet e tjera europiane”.
Faktoje iu drejtua Komisionit Europian për të pyetur mbi paketën e paralajmëruar nga qeveria shqiptare, a janë në dijeni për masat, a janë konsultuar me ta dhe cili do të ishte komenti i tyre. Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, nga një zëdhënës i Komisionit Europian, Brukseli bëri të qartë se institucionet e BE-së nuk kanë marrë pjesë në hartimin e propozimit. Komisioni shtoi se do të vijojë ta ndjekë çështjen në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.