Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq noteren për falsifikim të dokumenteve
Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq noteren A.H., e cila akuzohet për falsifikim të dokumenteve noteriale gjatë ushtrimit të detyrës së saj.

Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq noteren me inicialet A.H., e cila akuzohet se ka falsifikuar në mënyrë të përsëritur dokumente noteriale gjatë ushtrimit të detyrës së saj. Nga hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 1050 të vitit 2019, ka rezultuar se gjatë periudhës 2011-2020, e pandehura dyshohet se ka kryer një sërë veprimeve të paligjshme gjatë ushtrimit të profesionit të saj.
Sipas organit të akuzës, noterja ka hartuar dhe lëshuar akte noteriale duke përdorur emrat e notereve të tjerë, të cilët nuk kishin marrë pjesë në përpilimin e këtyre dokumenteve. Gjithashtu, në disa raste, ajo dyshohet se ka përgatitur akte pa praninë e palëve, në kundërshtim me kërkesat ligjore për kryerjen e këtyre veprimeve.
Një pjesë e hetimit është përqendruar te kontratat e shitblerjes së automjeteve, të hartuara gjatë viteve 2011-2018. Sipas Prokurorisë, këto kontrata nuk figuronin në regjistrat zyrtare të notereve në emër të të cilëve ishin lëshuar.
Në një numër të konsiderueshëm rastejsh, dokumentet dyshohet se janë hartuar në Fier nga A.H., ndërkohë që mbanin emrin e një notereje që ushtronte aktivitetin në Tiranë.
Ndërkohë, Prokuroria ka përfunduar hetimet edhe për një tjetër procedim penal ndaj së njëjtit noter, të regjistruar me numrin 390/2023, në kuadër të të cilit A.H. është marë e pandehur për veprimin penal "Falsifikimi i dokumenteve".