Gjendet në një pus trupi i pajetë i 31-vjeçarit shqiptar në Itali
Trupi i një 31-vjeçari shqiptar është gjetur në një pus në Itali, dhe dyshohet se është ekzekutuar me armë zjarri. Hetimet janë nisur nga Prokuroria e Forlì-Cesena për vrasje.

Trupi i një 31-vjeçari shqiptar është gjetur në një pus në Itali, dhe dyshohet se është ekzekutuar me armë zjarri. Hetimet janë nisur nga Prokuroria e Forlì-Cesena për vrasje.
Trupi u zbulua paraditen e së martës, më 28 tetor, rreth orës 10:00, në një pus pranë një banese fshati, përgjatë rrugës provinciale 85, që lidh Savignano sul Rubicone me zonën e Felloniche.
Sipas raportimit të medias italiane Teleromagna, pranë pusit janë gjetur edhe disa gëzhoja pistolete, të cilat po shqyrtohen nga hetuesit për të përcaktuar nëse kanë lidhje me ngjarjen.
Dyshimet për identitetin e viktimës janë shtuar për shkak të zhdukjes së 31-vjeçarit shqiptar, i cili frekuentonte zonën ku u gjet trupi. Rreth tri javë më parë, makinës së tij ishte gjetur e djegur plotësisht, disa kilometra larg, përgjatë rrugës Fondovalle del Rubicone.
Zbulimi i trupit u bë pas verifikimeve në pus, ku dyshohej se mund të kishte diçka brenda. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga mediat italiane, hedhja e një guri në pus dhe mungesa e zhurmës së zakonshme të kontaktit me ujin ngriten dyshime, duke nxitur kontrolle më të hollësishme.
Në vendngjarje mbërriten karabinierët e Cesenatico-s, një njësi e specializuar me qenë kërkimi nga Firence, zjarrfikësit dhe mjeku ligjor. Operacioni i nxjerrjes së trupit u krye nga ekipet e specializuara për ndërhyrje në puse dhe zona të vështira.
Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Forlì-Cesena, në bashkëpunim me karabinierët. Autoritetet po punojnë për të konfirmuar identitetin e viktimës, për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e vdekjes, si dhe për të zbardhur lidhjen e mundshme mes zhdukjes së shqiptarit, makinës së djegur dhe trupit të gjetur në pus.