"Aksidenti tragjik në Spanjë: Dëshmitë rrëqethëse të pasagjerëve pas përplasjes të tmerrshme"
Të paktën 86 persona kanë humbur jetën dhe 77 persona janë shtruar në spital pas aksidentit të ndodhur në Spanjë. Pasagjerët kanë rrëfyer momentet e tmerrshme të përplasjes, duke përshkruar skena kaosi dhe mungesë komunikimi menjëherë pas ngjarjes.

Të paktën 86 persona kanë humbur jetën dhe 77 persona janë shtruar në spital pas aksidentit të ndodhur sot në Spanjë, ku 15 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Monica Garcia, e cila përmes një postimi në rrjetin social X ka konfirmuar se autoritetet shëndetësore kanë marrë masa emergjente për përballimin e situatës.
Pasagjerët që ndodheshin në trenin e përfshirë në aksidentin në fjalë, kanë rrëfyer momentet e tmerrshme të përplasjes, duke përshkruar skena kaosi dhe mungesë komunikimi menjëherë pas ngjarjes. Një pasagjer, Rey, tha se komunikimi ishte i tmerrshëm dhe se askush nuk mund të dilte nga trenat për 10 minuta pas aksidentit. Ai tregoi se udhëtonte me familjen drejt Seviljes për pushime dhe se, fatmirësisht, të gjithë janë mirë, por mezi presin të largohen nga zona.
Një tjetër pasagjer, 25-vjeçari Yoander, rrëfeu se ishte në gjumë kur ndodhi përplasja. Ai tha se kishte goditur fytyrën dhe këmbën dhe se ndiente dhimbje, por se kishte persona të tjerë që kishin nevojë për ndihmë më urgjente. Eduarda, e cila udhëtonte së bashku me dy macet e saj, tha se përplasja e hodhi përpara, duke thyer tavolinën që ndodhej përpara sediljes së saj. Ajo dëgjoi britma dhe pa një vagon në flakë dhe tha se në vendngjarje kishte edhe persona që kishin humbur jetën dhe ndodheshin poshtë trenit.
Gazetari spanjoll, Roberto Gomez, ka rrëfyer momentet e frikshme që përjetoi në bordin e trenit të shpejtësisë së lartë. Ai tregoi për radion spanjolle “Onda Cero” se ishte në gjumë kur treni ndaloi dhe pasagjerët u njoftuan se kishte trafik të rënduar në shina. Sipas tij, treni nisi të lëvizte sërish, por pak më pas ndodhi përplasja e fuqishme. Ai pësoi vetëm lëndime të lehta, por tregoi se një pasagjer tjetër kishte rënë sipër tij dhe kishte marrë një plagë të thellë në kokë. Gomez tha se ai dhe pasagjerë të tjerë u përpoqën të ndihmonin personat që kishin pësuar goditje të forta në kraharor dhe në brinjë.