Shqipëria “rikthen” Spanjën pas 10 vitesh në “Arena Kombëtare”
Shqipëria do të bëjë miqësore me Spanjën në “Arena Kombëtare” pas 10 vitesh.

Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar një miqësore tjetër për Kombëtaren U-21. Kuqezinjtë do të sfidojnë Spanjën më 17 nëntor në orën 19:00 në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë.
Përballja me spanjollët do të jetë testi i dytë i nëntorit për Shqipërinë U-21, e cila katër ditë më parë, më 13 nëntor, do të luajë një tjetër ndeshje miqësore kundër Luksemburgut.
Sfida ndaj Spanjës merr rëndësi të veçante për stafin teknik të kuqezinjve, pasi do t’i japë trajnerit Alban Bushi mundësinë të vlerësojë gjendjen e skuadrës përballë një kundërshtari me traditë në futbollin europian të moshave.
Dy miqësore janë pjesë e programit përgatitor për Kampionatin Europian U-21 të vitit 2027, të cilin Shqipëria do ta organizojë së bashku me Serbinë.
Si një nga vendet organizatore, Shqipëria e ka siguruar automatikisht pjesëmarrjen në fazën finale të Europianit. Për këtë arsye, stafi teknik po shfrytëzon ndeshjet miqësore për të testuar lojtarët dhe për të ndërtuar skuadrën që do të përfaqësojë vendin në këtë kompeticion.
Ndeshja me Spanjën në “Arena Kombëtare” do të jetë një tjetër mundësi për të parë nivelin e kuqezinjve përpara turneut të vitit 2027.